Connect with us

Politike

Sakrifica politike që nxjerr Metën nga qelia dhe e fut në Parlament

Për Ilir Metën rindizen dritat e shpresës për të marrë një mandat në parlamentin e ardhshëm, por ajo që është ndoshta dhe më e rëndësishmja për momentin, për të rifituar lirinë. Kur kanë mbetur pak kuti për t’u numëruar (deri në orën 10:30), janë 7560 vota që e gjithë Partia e tij e Lirisë, mundi të grumbullojë në Tiranë, për emrin e tij. Ndonëse përfaqësojnë gati 1 të katërtën e atyre që ish LSI-ja kishte marrë në zgjedhjet e vitit 2021, mjaftuan që gjatë ditës së djeshme, ta ngrenë atë, në posicionin e tretë të listës së hapur të koalicionit opozitar, më afro 900 vota diferencë nga kandidati Dogjani, i cili e pason.

Në fakt, nga lista e hapur, PD dhe aleatët marrin vetëm një mandat, dhe ai i shkon Jorida Tabakut, me mbi 2 mijë vota nga i vetmi rival që pati brenda shtëpisë, Ilir Alimehmeti, dhe me shumë se dyfishi i votave të vetë Metës.

Por atë që nuk ja dhanë votat e PL, mund t’ia japin dy emrat që ndodhen në listë të sigurt, Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho. Të dy njerëz besnik të tij. I pari, i katapultuar në drejtimin e partisë, e dyta, nga emrat e paktë që i shpëtoi spastrimeve masive, sidomos të atyre që u konsideruan si grupi i Monika Kryemadhit, tanimë, ish bashkëshorte e Metës. Për t’i shpërblyer besimin, ata tanimë duhet të bëjnë një sakrificë, të japin dorëheqjen nga mandati. Që të dy.

Një lëvizje e tillë, do të mirëpritej edhe Partia Demokratike, e cila shton me një njeri të sajin, deputetët në parlament,  ndërsa PL, e humbët një.

Me largimin e dy përfaqësuesve të Partisë së Lirisë, i pari që përfiton është Alimehmeti, i dyti në listë, duke qenë se ka shumë më tepër vota se Meta, i cili e ndjek.

Një skenar i tillë, më shpejt se sa ulësen në parlament, do t’i jepte Metës lirinë nga paraburgimi, ku ai qëndron që prej tetorit të vitit të kaluar. Neni 71 i kushtetutës përcakton se “mandati i deputetit  fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve”. Në këtë mënyrë, Meta nuk pret konstituimin e parlamentit të ri në shtator, por e merr mandatin që me shpalljen nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve, dhe automatikisht i hap atij dyert e qelisë. Madje një situatë e tillë e favorizon, edhe nga një kërkesë e mundshme e SPAK-ut për autorizim për riarrestimin e tij, pasi kjo kërkesë nuk mund të shqyrtohet nga parlamenti aktual.

Advertisement