Politike
Salianji rekurs në Gjykatën e Lartë, kundërshton vendimin e dënimit
Ish-deputeti Ervin Salianji ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë lidhur me vendimin e Apelit që e dënoi me 1 vit heqje lirie, pas një gjyqi që zgjati disa vjet, për një denoncim mediatik që demokrati kishte bërë ndaj Geron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, lidhur me trafikun e drogës dhe një dënim të pakryer në Itali. Por Salianji u dënua për kallëzim të rreme, edhe pse ish-deputeti nuk kishte kryer asnjë kallëzim, por thjesht denoncim publik.
Salianji, i cili po vuan dënimin në burgun e Fierit, kërkon në Gjykatën e Lartë rrëzimin e vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit që e dënoi me 1 vit burg, duke lënë në fuqi vendimin e dhënë më parë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Vendimi i Apelit u shpall nga trupi gjykues me relatore Elona Toro dhe anëtarë Iliba Bezati dhe Genti Shala.
Pas shpalljes së vendimit, Salianji e denoncoi procesin si të montuar nga fillimi në fund dhe e quajti veten një të dënuar politik.
“Jam i dënuari i parë politik në këto 34 vite pluralizëm. Ky është dënim politik, njësoj si agjitacioni dhe propaganda dikur,” tha Salianji. “Unë nuk kam bërë një betejë për të vjedhur dhe për të vrarë, por kam bërë një betejë kundër trafikantëve të drogës,” deklaroi ai, duke shtuar se është i disponueshëm që ta kryejë dënimin në çdo lloj burgu.
Prej 26 tetorit, Salianji ndodhet në burgun e Fierit duke kryer dënimin.