Aktualitet
Samiti i BE/ Rrugët e bllokuara dhe fluturimet
Në prag të zhvillimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet të martën e 6 dhjetorit në Tiranë, policia e shtetit ka nisur të marrë masa paraprake për mbarëvajtjen e kësaj ngjarjeje të rëndësishme.
Tirana do të presë për herë të parë liderët e vendeve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor së bashku me drejtuesit më të lartë të institucioneve të Brukselit.
Përmes një njoftimi, policia bën me dije se për arsye sigurie do ketë bllokime dhe devijime trafiku në disa rrugë inteurbane dhe urbane të kryeqytetit duke nisur nga ora 06:00 e së martës e deri në orën 18:00 të po asaj dite.
Rrugët e bllokuara do të jenë:
– Rruga Rinas – Qafë Kashar dhe anasjelltas
– Autostrada Tiranë- Vorë dhe anasjelltas
– Unaza madhe nga ish Sheshi Shqiponja – Rrethi i Sanatoriumit dhe anasjelltas
– Rr.Elbasanit nga Rrethi Sanatoriumit deri tek Ura Elbasanit dhe anasjelltas
Ndërkohë, edhe të gjithë rrugët që lidhin Rr.Elbasanit me Rr. Papa Gjon Pali II, Rr.Dervish Hima, Rr.Asim Zeneli, Rr.Themistokli Gërmenji, Rr.Ismail Qemali, Rr.Mustafa Matohiti, Rr. Jul Variboba, Rr.Faik Konica, Fatmir Haxhiu, Gjeneral Nikols, rruga e Atjonit, sheh Ahmet Pazar si dhe të gjitha rruget që lidhin Blv.D.Kombit me Rr.Ibrahim Rugova, Ukraina e lirë, Lek Dukagjini do jenë të bllokuara.
Gjithashtu ne këto segmente nuk do të lejohet parkimi i mjeteve, ndaj për këtë arsye janë njoftuar të gjithë banorët e zonës të mos parkojnë mjetet. Nëse rregulli nuk zbatohet, spostimi i mjeteve do të bëhet nga autoritetet përkatëse.
Eshtë njoftuar gjithashtu se për mjetet e emergjencave mjekësore dhe emergjencave civile nuk do të ketë pengesa, përveç kontrolleve policore në perimetrin e sigurise do të jenë të kontrolluara nga punonjësit e policisë.
Bllokimi i trafikut dhe devijimi në autostradat dhe rrugët interurbane që të çojnë drejt Tiranës, do të fillojnë në orën 07:00, ndërsa në qytet në perimetrin e sigurisë duke filluar nga ora 06:00 dhe në rrugët e tjera që përfshihen në itenerarin e lëvizjeve në orën 08:00.
Një njoftim tjetër shumë i rëndësishëm është bërë edhe në faqen zyrtare të TIA-s (Aeroporti i Tiranës), i cili paralajmëron të gjithë qytetarët që kanë fluturime ditën e nesërme të mbërrijnë në aeroport 4 orë para orarit të fluturimit.
“TIA njofton që të gjithë pasagjerët të cilët kanë për të udhëtuar nga TIA në datë 6 dhjetor, janë të lutur që të jenë në aeroport 4 orë para fluturimit të tyre për shkak të masave të marra per samitin BE-Ballkani Perëndimor. Kjo prezencë kërkohet në mënyrë që pasagjerët mos të rrezikojnë humbjen e fluturimit të tyre.”- shkruhet në njoftimin zyrtar.