Bota
Sanksionet e Britanisë ndaj ministrave izraelitë/ Rubio: Vendimi nuk i ndihmon përpjekjet e SHBA-së për një armëpushim

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka kritikuar vendimin e Mbretërisë së Bashkuar dhe katër vendeve të tjera për të sanksionuar dy ministra të kabinetit izraelit të ekstremit të djathtë për shkak të komenteve të tyre mbi Gazën.
“Këto sanksione nuk i çojnë përpara përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-të për të arritur një armëpushim, për të sjellë të gjithë pengjet në shtëpi dhe për t’i dhënë fund luftës”, është shprehur Marco Rubio.
Nga ana tjetër, Rubio tha se SHBA-të qëndrojnë “krah për krah me Izraelin”.
Mbretëria e Bashkuar, Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Norvegjia vendosën sanksione ndaj ministrave izraelitë Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir, duke i akuzuar ata për nxitje të përsëritur të dhunës kundër palestinezëve. Dy ministrat përballen me ndalime udhëtimi dhe ngrirje të aseteve.
Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, deklaroi se do të merren hapa kundër këtyre vendeve, pasi konsiderohen si sanksione të vendosura kundër shtetit, qeverisë dhe qytetarëve të Izraelit.
“Kjo hipokrizi tani në nivel personal nuk më shqetëson. Mendoj se në nivel kombëtar ka diçka shumë të keqe dhe shumë të rrezikshme. Në koordinim me kryeministrin, ne do të formulojmë një paketë të tërë kundër këtyre vendeve, ashtu edhe kundër Autoritetit Palestinez. Këto nuk janë sanksione kundër meje, këto janë sanksione kundër shtetit, kundër të gjithë qeverisë, kundër qytetarëve të Izraelit. Në fund të fundit, këto vende duan të na bëjnë të ndalojmë luftën, të na bëjnë të humbasim, dhe të krijojmë një shtet terrorist në zemër të Izraelit”, tha Bezalel Smotrich, ministri i Financave në Izrael.
Ai e falënderoi sekretarin Marco Rubio me anë të një postimi në rrjetin “X” duke thënë se në një botë të drejtuar nga interesat, SHBA-të janë të palëkundura për të dalluar të drejtën nga e gabuara./The Times of Israel

