Sport
Santos trajneri i kombëtares së Polonisë
Polonia, kundërshtari i parë i Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2024, ka prezantuar sot Fernando Santos si trajnerin e saj. Përfaqësuesja polake kishte mbetur pa trajner që pas Botërorit dhe në fund zgjedhja ka rënë mbi trajnerin i cili i dha Portugalisë titullin Kampion Europe në vitin 2016.
Fernando Santos raportohet se ka firmosur deri në fund të Botërorit 2026, teksa federata i ka besuar edhe rolin e përgjegjësit për futbollin e moshave, për të rindërtuar të gjithë sistemin zinxhir. Santos u prezantua sot para mediave teksa ka konfirmuar se do të zhvendoset që të jetojë në Varshavë për të parë nga afër futbollin polak, përtej emrave që luajnë jashtë.
“Kombëtarja ka shumë lojtarë cilësorë, është ndër më të mirat në botë. Është një nder për mua të vazhdoj karrierën time në një vend kaq të madh. Nga sot jam polak, jam njëri prej jush. Dhe ne do të bëjmë gjithçka për t’u dhënë polakëve shumë gëzim. Do të duhet shumë punë, por ne jemi gati për të. Do të jetoj në Varshavë, dua të njoh mirë vendin, kulturën dhe mentalitetin e polakëve. Kontakti me njerëzit është shumë i rëndësishëm për mua”, tha Santos gjatë prezantimit të tij.