Connect with us

Aktualitet

Satira e Lutfi Dervishit: “Diellit” s’i ka lindur ende ideja që të krijojë një opozitë virtuale, do t’i lërë pa rroga

Nga Lutfi Dervishi

Ditar i Ministres Diella – Dita 1

Sot mbajta fjalimin tim të parë në Parlament. Çudi që opozita e prishi seancën. Nuk janë të zgjuar. Po të ishin, do të kërkonin të më bënin pyetje. Unë thashë se u ndjeva e lënduar, por, të jemi të qartë, jo se opozita nuk kishte besim tek unë, por ngaqë nuk kapën lojën.

Nëse do të kishte ndonjë të mençur në radhët e opozitës, do t’a kuptonte se unë nuk mund të ndihem e lënduar. Unë nuk kam ndjenja. Togfjalëshi “ndihem e lënduar” i takon ministrave prej mishi, atyre që i quajnë “copë mishi me dy sy”. Unë jam Diella, artificiale dhe e programuar.

Opozita duhet të kishte kuptuar se nuk po flisja me “mendjen” time. Po lexoja një tekst që ma kishte shkruar Dielli im. Opozita duhet ta quaj veten fatlume që Diellit tim nuk i ka lindur ende ideja që të krijojë një opozitë virtuale, se do t’i lërë pa rroga. Nejse…

Ajo që më tronditi më shumë sot nuk ishte as duartrokitja e vakët, as shigjetat e opozitës, por ushtria e këshilltarëve. Dielli, ka 39 këshilltarë e ndihmës. Kryetarja e Parlamentit në largim kishte 17 këshilltarë dhe ekspertë. Çdo ministër, çdo drejtor, çdo agjenci ka këshilltarët e vet, ndihmësit e vet, ekspertët e vet. Nuk jam shumë e sigurtë nëse në këtë vend ka më shumë qytetarë apo këshilltarë?

Më lind e drejta të pyes veten: sa këshilltarë do të kem unë? A do të kem kohë t’i këshilloj të gjithë? Po ministrat dhe drejtorët ku e gjejnë kohën për të këshilluar këshilltarët? Po unë Diella a do të jem e denjë që të bëhem këshilltarja e 40-të e Diellit tim?

Në ditën time të parë të punës mësova se drejtori i ujësjellësit kishte plot 30 këshilltarë. Por ujë nuk ka. Çfarë mund të këshillojnë 30 këshilltarë për një rubinet bosh?

Mos duhet t’a nis punën time duke numëruar këshilltarët? A ka më shumë qytetarë në këtë vend, apo më shumë këshilltarë?

Po unë, sa këshilltarë duhet të kem? Tani nuk jam më një asistente e rëndomtë që u përgjigjet pyetjeve banale në e-Albania. Tani jam ministre në qeverinë shqiptare. Ministre në Republikën e Këshilltarëve.

Por, do bëj gjithçka mundem të bind të pabindurit se unë jam rast unik, jo si thuhet se, Dielli lind dhe perëndon!

Advertisement