Connect with us

Bota

Scholz: Qeverisje e vështirë në kohë të vështira

Situata nuk është rozë për kancelarin gjerman Olaf Scholz. Bilanci i koalicionit të qendrës së majtë të drejtuar prej tij, afro dy vjet pas zgjedhjeve parlamentare në shtator 2021 lë shumë për të dëshiruar. Tre nga katër gjermanë janë pak ose aspak të kënaqur me punën e qeverisë së drejtuar nga kancelari socialdemokrat. Partia socialdemokrate, së cilës i përket kancelari, në sondazhe ka rënë në vendin e tretë, pas Unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial (CDU/CSU) dhe partisë së skajit të djathtë, Alternativë për Gjermaninë (AfD). Edhe dy partitë e tjera të koalicionit, Të Gjelbrit dhe liberalët (FDP) kanë rënë nëpër sondazhe.

Olaf Scholz – dhe si e sheh ai të ardhmen

Por kancelarit vetë këto duket se nuk  i bëjnë përshtypje: “Unë jam në fillim të punës sime si kancelar,” tha ai të premten, 15.07.2023, në një konferencë shtypi me korrespondentët e akredituar, i pyetur për zgjedhjet e ardhshme në vitin 2025. Scholz është bekuar me një vetëbesim të patundur. “Kam shumë besim se AfD-ja nuk do të ketë rezultate më të mira se në zgjedhjet e mëparshme”, tha ai, duke dhënë këshillën që këto rezultate të shihen “më me gjakftohtësi”. Edhe kësaj here, si gjithmonë, Scholz e tha pa e ndryshuar mimikën, sepse Scholz i ka gjithmonë nën kontroll si veten ashtu edhe ndjenjat e tij.

Kancelari socialdemokrat i përshkruan populistët e krahut të djathtë si një “parti me qejfprishur” që përfiton nga krizat. Prandaj është e rëndësishme që qeveria të zbatojë “programin e saj të modernizimit”. “Të gjitha risitë që duam të nisim për ekonominë tonë përcjellin gjithmonë mesazhin se gjërat do të shkojnë mirë për çdo individ.” E kjo do t’ia prishë modelin e biznesit AfD-së, është i mendimit kancelari.

Olaf Scholz – i gjithëdituri

I patundur dhe i bindur në vetëvete, kjo është motoja me të cilën prej dekadash bën politikën juristi 65-vjeçar. Scholz shpesh paraqitet si i gjithëditur – veçanërisht kur i bëjnë pyetje. Nuk lë asnjë dyshim në bindjen e vet se politika e tij është domosdoshmërisht logjike dhe për këtë arsye e saktë. Nëse dikush nuk e kupton ose e kundërshton, ai ia kthen me nënçmim: “Zonja Presidente, nëse do të përpiqesha vërtet të kundërshtoja të gjithë listën e vërejtjeve të pasakta, nuk do të më dilte koha”, tha ai përpara pushimeve verore të Bundestagut në interpelancën parlamentare.

Në SPD këtë sjellje e quajnë sovrane, të tjerëve u duket arrogante. Scholz ka një mënyrë të përsosur për të mos iu përgjigjur pyetjes së bërë: Ai flet me gjithmonë i qetë, në mënyrë monotone, pak të ngatërruar dhe si robot. Kritikët e tij kanë gjetur një emërtim për këtë stil të foluri: Scholzomat, një bashkim i fjalëve Scholz dhe automat. Që kjo mënyrë të foluri nuk ka të bëjë me tipin e tij, kancelari gjerman e tregoi me fjalimin e zjarrtë të “kthesës historike” që mbajti në Bundestag pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Tanke në vend të turbinave të erës

Scholzit nuk ia prishin terezinë as dy partitë e tjera bashkëqeverisëse. Kur erdhi në detyrë koalicioni i drejtuar prej tij premtoi se do të sillte ndryshime thelbësore dhe përparime në mbrojtjen e klimës, digjitalizim dhe transformimin e shpejtë të ekonomisë.

Lufta në Ukrainë i zhvendosi prioritetet. Në vend që të ndërtonte 400.000 apartamente në vit dhe pesë turbina ere në ditë, qeveria vë 100 miliardë euro në fonde speciale për modernizimin e ushtrisë gjermane, Bundeswehr, dhe miliarda të tjera për të gjetur alternativa ndaj gazit rus dhe për të lehtësuar masivisht barrën financiare për qytetarët. Bundeswehr do të forcohet më tej. Në afat të gjatë, kjo përbën dy për qind të ardhurave bruto të Gjermanisë, sikurse kanë rënë dakord partnerët e NATO-s.

Scholzen dhe scholzing

Pasojat e luftës në Ukrainë i ndjen edhe buxheti i Gjermanisë: Vetëm në vitin 2022 në Gjermani erdhën mbi një milion refugjatë.  Scholz tha në Berlin  se Gjermania jep “mbështetjen më të madhe financiare, përfshirë edhe aspektin ushtarak”:  “Kemi llogaritur se që nga fillimi i luftës e deri nga viti 2027, do të jenë 17 miliardë euro që do të shpenzojmë për furnizimin e Ukrainës me armë të prodhuara në Gjermani ose të financuara nga Gjermania.”

Fillimisht, kancelari ngurroi ta furnizonte Ukrainën me armë. Historiani britanik Timothy Garton Ash e emërtoi këtë ngurrim  “scholzing”, që sipas tij do të thotë një mënyrë komunikimi i qëllimeve të mira, vetëm për të shpikur lloj-lloj  arsyesh për të vonuar dhe zvarritur zbatimin e tyre. Scholz edhe tani, kur flet për Ukrainën, nuk thotë se Ukraina duhet të fitojë, por Ukraina nuk duhet të humbasë. Por në thelb, qëndrimi i tij tani është i qartë.

Gjermania dhe Kina: minimizim risku pa shkëputje

Kurrë më parë një qeveri federale nuk është përballur me kaq shumë probleme kaq të mëdha në të njëjtën kohë, brenda dhe jashtë vendit. Koalicioni prezantoi para pak kohe, 13.07.  edhe strategjinë për Kinën, me ndihmën e së cilës Gjermania do të bëhet më pak e varur ekonomikisht nga fuqia aziatike ekspansioniste. Por kompanitë gjermane janë skeptike. “Kjo nuk do të thotë se shteti do të kontrollojë çdo biznes që bëhet jashtë vendit”, qetësoi kancelari. “Ne thjesht duam ta vëzhgojmë më nga afër që të reagojmë për projekte që mund të jenë relevante për sigurinë e vendit.”

Rivalitet brenda koalicionit

Koalicinit i qendrës së majtë e kaloi vitin e parë të qeverisjes me një unitet mahnitës. Por pastaj nisën rivalitetet: SPD dhe të Gjelbërit janë në thelb parti të krahut të majtë që mbrojnë një shtet që rregullon shumë dhe mbështet të pafavorizuarit nga ana shoqërore. FDP liberale dëshiron sa më pak ndërhyrje shtetërore sidomos në ekonomi dhe kërkon përgjegjësi personale të çdo individi. Këto diferenca bëhen më evidente, kur partitë humbasin vota në zgjedhjet e landeve. Secila prej tyre fillon luftën për profilizim: Të Gjelbërit nuk duan të bëjnë kompromise në çështjet e klimës dhe mbrojtjes së mjedisit, FDP e ka mendjen te tregu dhe interesat e ekonomisë.

Koalcioni grindet: Për muret ngrohëse në Gjermani, për ndalimin e përdorimit të ngrohjeve me gas ose naftë, për fondet buxhetore për sigurinë bazike financiare për fëmijët. FDP këmbëngul që të mos ketë borxhe të reja pas vitit 2024, çka mund të arrihet vetëm nëpërmjet shkurtimeve masive në buxhet. Rritja e tatimit për të pasurit, siç e kërkojnë Të Gjelbrit, nuk vjen në diskutim për liberalët.

Në këto grindje, kancelari gjerman socialdemokrat shpesh mbetet i padukshëm dhe merr kritika nga shumë anë.

Kancelar, jo kauboj

Por Scholzi mbetet ai që është. Unë nuk jam  John Wayne, tha ai në një intervistë me kanalin e parë gjerman, ARD, duke aluduar për rolet e aktorit hollivudian në filmat Western. Politika nuk funksion kështu.

“Jemi një familje me tre parti dhe mbi 80 milionë qytetarë e ku secili ka një opinion mbi të gjitha çështjet se si mund të fitojmë të ardhmen tonë.” Një baba autoritar nuk do të ishte një metodë e mirë për një familje moderne. Në besimin e tij të patundur, megjithatë, kancelari supozon se koalicioni do të kthehet vetë në rrugën e duhur. Ai ka përshtypjen se të gjithë e kanë kuptuar se ka shumë punë për t’u bërë dhe në të njëjtën kohë ka ende shumë punë përpara. Ai tha se partitë e koalicionit tani duhet të bëjnë “më pak zhurmë” dhe më shumë punë me rezultate të shpejta./DW

Advertisement