Connect with us

Politike

Seanca për Berishën shtyhet, vendimi për ‘arrestin në shtëpi’ jepet pas pushimeve

Gjykata Kushtetuese ka shtyrë seancën për shqyrtimin e kërkesës së kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha për prishjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”. Seanca, e cila ishte caktuar të mbahej më 27 dhjetor do të mbahet më 17 janar 2025. Kushtetutja bën me dije se “për arsye objektive seanca do të zhvillohet më 17 janar 2025”.

Më 21 nëntor Gjykata Kushtetuese vendosi se masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” do të vijojë të jetë në fuqi. Në vendimin e argumentuar, Gjykata Kushtetuese sqaron se ka pranuar pjesërisht ankimin e Berishës për masat e marra nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Përsa i përket ankimimit se Prokuroria nuk ka komunikuar me Kuvendin, duke qenë se Berisha është deputet, Gjykata shprehet se e shqyrtoi masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, në këndvështrim të të drejtës për t’u zgjedhur sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe duke iu referuar llojit të detyrimit që vendos masa dhe shpeshtësisë së zbatimit të tij (një herë në dy javë) dhe njëzëri arriti në përfundimin se ajo nuk prek funksionet legjislative të Kuvendit dhe nuk e pengon deputetin të ushtrojë të drejtat e tij si deputet. Për rrjedhojë gjykata njëzëri arriti në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit.

Advertisement