Connect with us

Politike

Sejamini: Rama po merr flamurin e anti-korrupsionit e po rishpik veten, opozita s’përdor trurin e nuk ka strategji

Neritan Sejamini thotë se rezoluta dhe komisioni kundër korrupsionit që ka propozuar Edi Rama, është në fakt nisja e një serie reformash që ai do të propozojë për integrimin e Shqipërisë në BE në vitin 2030, një operacion edhe propagandistik që do t’i shërbejë Ramës për të rishpikur veten në zgjedhjet parlamentare.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Sejamini tha se Rama është “dhjetë hapa larg të tjerëve” dhe ka një projekt serioz për të fituar zgjedhjet, përfshirë edhe marrjen e profesionistëve nga Perëndimi, ndërsa opozita nuk përdor trurin dhe nuk ka asnjë strategji.

“Që të gjykojmë rezolutën duhet të gjykojmë motivimet dhe interesat e zotit Rama. Rezoluta po përcillet në mënyrë kaotike. Rezoluta është një mjet, nuk është asgjë. Zoti Rama do të bëjë një komision të posaçëm parlamentar dhe ky komision i posaçëm do të rishikojë shumë institucione të pavarura, të gjejë probleme dhe do të vijë me reformë të re, që do të reformojë shtetin shqiptar për ta bërë gati për tu futur në BE në vitin 2030. Kështu filloi edhe reforma në drejtësi.

Ka gjetur këto terma, përgjithësime të shkëlqyera, të gjithë duan drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, sepse nuk mund të dalësh kundër kësaj edhe opozita abstenoi sot. Ka gjetur luftë të re, mjet propagandistik, ndaj të cilëve nuk del askush kundër. Do të marrë ekspertë, edhe të huajë dhe në fund do të propozohen ato ndryshime që Rama ka në mendje.

Pra, zoti Rama do të bëjë disa gjëra. Do që mandate i kryetarit të SPAK të kalojë në dy, pra ai që të vijë pas Dumani të rrijë gjashtë vjet dhe jo tre. E dyta, ai do të ndajë termin që nëse bëhet fjalë për shpërdorim detyre pa dëme financiare, të hetohet nga prokuroritë e rrethit. Pra vetëm kur shkakton dëme nga shteti, të hetohet nga SPAK. Pra hetimet që ka nisur sot vetëm shpërdorim detyre, 90% e rasteve kundër zyrtarëve, do ti hetojë prokuroria e Tiranës.

Ka një element propagandistik për fushatën. Zoti Rama e ka menduar dhe është efikase. Ai thotë, korrupsioni është kancer i trashëguar. Ne duam ta luftojmë korrupsionin, bëjmë ligje dhe reforma. Ne e kemi filluar luftën para dhjet vitesh me reformën ne drejtësi dhe sot SPAK, që nga viti 1912, kemi një institucion që po nxjerr para drejtësisë shtetarët e korruptuar dhe kjo është arritja jonë. Tani thotë, meqenëse e bëmë drejtësinë, duhet të bëjmë integrimin ne BE dhe do ta bëjmë njëlloj me shtetbërje. Unë do të ngre flamurin shqiptar te oborri i BE. Kjo është e logjikshme dhe do të jetë fushata e tij.

Edi Rama po e rishpik veten me këtë ide, pra integrimi në BE, turizimi, po gjen një mesazh pozitiv, energjik dhe po merr edhe flamurin e luftës kundër korrupsionit. Ne mund të themi se kjo është propagandë, por kjo po ndodh dhe shumë njërëz do ta besojnë dhe do të frymëzohen.  Po merr profesionistë nga bota, në vend që të vinin te opozita. Ka projekt serioz dhe është dhjetë hapa para të tjerëve.

Ajo që bëri opozita sot është sjellje e gabuar. Është banalitet total, opozita duhet të jetë e zgjuar. Pas kaq vitesh qeverisje e tillë, që flamurin e korrupsionit mos ta ketë opozita por ta ketë qeveria, është katastrofike.

Opozita duhet të përdorë trurin, sepse mendon se akoma është me muskuj. Opozita duhet të kuptojë aktorët, kundërshtarin e vet, të huajt, aktorët e tjerë, forcat që veprojnë dhe të ketë një strategji. Opozita do ta hajë njëlloj si me reformën ne drejtësi

Edhe një gjë, nuk mund të rrëzosh Ramën, pa prekur elitën që e mban në pushtet, oligarkët dhe mediat që e mbajnë në pushtet”, tha Sejamini.

Advertisement