Connect with us

Kronike

Sekuestrohen 1 ton lëndë plasëse, arrestohen 6 persona

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë, në përmbushje të objektivave të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e informalitetit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, bazuar në inteligjencën informative se disa shtetas shfrytëzonin një minierë, në mënyrë të paligjshme, ndërsa disa të tjerë tregtonin lëndë plasëse po në mënyrë të paligjshme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Toka e artë”, në kuadër të të cilit u arrestuan shtetasit:

B. K., 25 vjeç dhe D. K., 21 vjeç (person me precedent të mëparshëm kriminal, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje), të dy banues në Krastë, përvetësues dhe shfrytëzues, në mënyrë të paligjshme, të një miniere në Batër, Krastë.

Këta shtetas u arrestuan për veprat penale “Ushtrimi i aktivitetit pa qenë i regjistruar pranë organeve tatimore”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municoneve”.

Dy vëllezërit kishin përvetësuar një galeri në Batër dhe vazhdonin të kryenin punime, me qëllim nxjerrjen dhe shfrytëzimin e materialit minerar.

Gjatë kontrollit të ushtruar në galeri janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 20 kallëpe me lëndë plasëse dinamit (me peshë 8 kg) dhe 15 kapsolla elektrike.

Gjithashtu, është arrestuar shtetasi H. B., 38 vjeç (minator/zjarrmëtar), punonjës në galerinë e përvetësuar nga dy vëllezërit, për veprën penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Në vijim të operacionit janë arrestuar dhe shtetasit:

I. L., 34 vjeç, banues në Krastë, administrator i një subjekti për përdorim dhe tregtim të lëndëve plasëse, për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Fshehja e të ardhurave”, pasi në subjektin e tij janë gjetur dhe sekuestruar 1 ton e 56 kilogramë lëndë plasëse dinamit dhe 2275 kapsolla elektrike; shtetasi E. L., 33 vjeç, me detyrë minator/zjarrmëtar në këtë subjekt;

K. L., 48 vjeç, banues në Krastë, administrator i një subjekti për përdorim dhe tregtim të lëndëve plasëse, për veprën penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, pasi në subjektin e tij janë sekuestruar 96 kg lëndë plasëse dhe 1525 kapsolla elektrike.

Gjithsej janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 ton e 162 kilogramë lëndë plasëse dhe 3815 kapsolla elektrike dhe janë vënë në pranga 6 shtetas.

Administratorët e të dy subjekteve për përdorimin dhe tregtimin e lëndëve plasëse, njëri prej tyre edhe drejtues teknik i subjektit të tij, konkretisht shtetasi K. L., tregtonin lëndë plasëse në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me rregullat e përdorimit dhe të tregtimit të lëndëve plasëse.

Advertisement