Aktualitet
Sekuestrohen 10 mln euro pasuri të biznesmenit të vrarë në Laç
Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga aktivitetet kriminale. Finalizohet operacioni policor i koduar “Përfitimi”.
Sekuestrohen pasuri të paluajtshme, me vlerë rreth 10 milionë euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale. Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurifiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar “Përfitimi”.
Në zbatim të këtij procedimi, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të paluajtshme në ngarkim të shtetasit P.(N). Gj. dhe të familjarëve të tij.Në zbatim të këtij vendimi, u bë sekuestrimi i pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave arrin rreth 10 milionë euro, konkretisht:
•11 garazhe, 18 apartamente, 1 truall, 2 njësi, 1 vilë, licencë për transport udhëtarësh, 3 shoqëri aksionere, 1 kazino dhe 9 automjete. Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga shtetasi P.(N). Gj. i cili ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve.