Kosova
Senatori Murphy: Serbia të mos e pengojë Kosovën
Serbi duhet të ndalojë së penguari Kosovën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, tha senatori amerikan, Chris Murphy, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai, së bashku me senatorin Gary Peters, kanë nisur vizitën në Kosovë, që është në kuadër të një turni njëjavor në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Na vjen mirë që po e shohim marrëveshjen e fundit midis Kosovës dhe Serbisë që përfshin njohjen e ndërsjellë të dokumenteve zyrtare, por edhe hapat e vështirë që duhen të ndërmerren nga të dyja palët. Serbia duhet të ndalojë së penguari Kosovën, të drejtën e saj për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare”, tha Murphy.
Ai iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia arritën më 27 shkurt në Bruksel, si dhe Aneksit të zbatimit të saj, që u arrit në Ohër më 18 mars.
Presidentja Osmani tha se në takim u ka treguar senatorëve amerikanë të gjitha shkeljet që po i bën Serbia kësaj marrëveshjeje, që përfshin edhe mospengimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në prill, Serbia ka votuar kundër kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pavarësisht se me Marrëveshjen drejt normalizimit është zotuar se nuk do të paraqesë pengesa të tilla.
Ndërkaq, senatori Peters vlerësoi lartë raportet mes Kosovës dhe SHBA-së dhe premtoi vazhdimin e ndihmës dhe bashkëpunimit nga Uashingtoni.
Vizita e dy senatorëve në Kosovë vjen disa ditë pasi Komiteti për Punë të Jashtme i Senatit amerikan mbajti një seancë për politikën e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë senacë u deklaruan këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Që të dy zyrtarët kërkuan nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit dhe Prishtina të themelojë sa më shpejt Asociacionin e komunave me shumicë serbe./rel/