Kosova
Serbia e gatshme për kompromise “shumë të vështira” me Kosovën
Serbia, sipas ministrit për Çështje Evropiane ne Beograd, Nemanja Staroviç, është e gatshme “për kompromise shumë të vështira” me Kosovën në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel.
Sipas tij Beogradi zyrtar dëshiron të “normalizojë plotësisht” marrëdhëniet me Prishtinën, megjithatë sic u shpreh ai, një gjë e tillë nuk duhet të ndodh në kurriz të një shteti, i cili humbet gjithçka.
“Beogradi është i gatshëm për dialog me Prishtinën. Nuk duhet të jetë një lojë ku njëra palë humb gjithçka që pala tjetër të fitojë gjithçka. Duhet të jetë kompromis”, ka thënë ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve austriake, APA.
I pyetur se si është i mundur anëtarësimi në Bashkimit Evropian i të dy vendeve pa përfunduar fillimisht kontesti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Staroviç ka thënë se kjo është një sfidë shumë e madhe.
“Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm që Bashkimi Evropian gjithmonë ka përdorur zgjidhje praktike dhe kreative”, ka thënë Staroviç duke e përmendur shembullin e Qipros, e cila u bë anëtare e BE-së në vitin 2004 pavarësisht konfliktit të pazgjidhur për pjesën veriore të pushtuar nga Turqia.
Ai gjithashtu ka akuzuar edhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, se po bën politik të brendshme në “kurriz të komunitetit serb”.
“E vetmja gjë që ai mund t’u ofrojë votuesve të tij është shtypja e komunitetit serb në Kosovë”, ka pretenduar ministri serb.