Connect with us

Kosova

Serbia ia arriti qëllimeve, pavarësisht premtimeve të Perëndimit

“Para tri viteve presidenti amerikan, Joe Biden, në një letër dërguar presidentes së sapo zgjedhur të Kosovës, Vjosa Osmani, i thoshte asaj se SHBA-të kërkojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse e përfundimtare, në të cilën njohja e Kosovës nga ana e Serbisë të ishte në themelin e saj.

Këtë kërkesë zoti Biden ia bëri asokohe edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Të dy presidentëve u kërkoi marrëveshje sa më të shpejtë me bazë njohjen e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Presidenti amerikan kërkoi gjithashtu kompromisin e të dy palëve. Dhe gjithkush beson edhe sot se “kompromisi” për Kosovën do të thoshte krijimi i Asociacionit, bazuar në Kushtetutën e vendit, siç e ka përsërit vazhdimisht ambasadori amerikan në Prishtinë, Hovenier.

Po çfarë ndodhi më pas? Gradualisht diplomatët amerikanë filluan ta heqin nga diskursi i tyre njohjen de jure të shtetit të Kosovës nga ana e Beogradit. Madje ata, përveç ambasadorit amerikan në Kosovë në fillim, nuk e përmendën më njohjen. Mesa duket udhëheqësit serbë të Beogradit e kundërshtuan fort kërkesën e presidentit Biden për njohjen e Kosovës. Lobuan gjithashtu me të gjithë fuqinë diplomatike e financiare që të hiqej nga fjalori diplomatik, së paku “njohja de jure”! Dhe ia arritën kësaj” – keshtu shkruan ne nje postim editorial profesor doctor Enver Bytyçi.

Sipas tij, kërkesa e presidentit Biden u mor nga Kosova si premtim amerikan për njohjen e pavarësisë së saj, por ndërkaq ndodhi e kundërta. Ishin pikërisht emisarët e Biden, Palmer dhe Escobar që fillimisht hoqën dorë nga “njohja de jure” e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe në fund hoqën dorë edhe nga kërkesa e Marrëveshjes së Brukselit për “njohjen de facto” të këtij shteti.

“Escobar fillimisht foli si guvernator i Kosovës, kur tha se “Nëse Asociacionin nuk e formon Kurti, atëherë do ta formojmë ne”! Por nuk i tha presidentit të Serbisë, se “Nëse ju nuk e njihni de facto Kosovën  sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, atëherë do ta bëjmë ne për ty” – ka theksuar Bytyçi duke potencuar: –

“Borrell, Lajçak dhe Escobar i serviren Kurtit dhe Vuçiç-it marrëveshjen dhe aneksin në shkurt-mars 2023, por Vuçic tha se “Nuk firmos, sepse kam dorën e djathtë të sëmurë dhe kjo dorë nuk shërohet së paku edhe për katër vjet”! Kurti kërkoi në moment të firmosej marrëveshja, si dhe aneksi. Në këto dokumente thuhet se “Nuk mund të përdoret asnjë pengesë për zbatim, duke spekuluar me kushtëzime, ti zbato këtë, pastaj unë po zbatoj këtë pikën tjetër të marrëveshjes”! Gjithçka u sanksionua në pajtim me të dy palët”

Kujtojmë se megjithatë, dy vendet që morën autorësinë e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, përkatësisht Gjermania dhe Franca, plus Italia, kanë kushtëzuar tani pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Pra kanë shkelur mbi atë marrëveshje dhe aneksin e saj, të cilat i kanë formuluar vetë dhe i kanë ofruar për zbatim të detyrueshëm për të dy palët. Më e keqja është se në qershor 2023 të dy ato dokumente janë njohur si të detyrueshme për t’u zbatuar nga ana e kryetarëve të shteteve dhe kryeministrat e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Atëherë u tha se me këtë vendim të KE-së, marrëveshja dhe aneksi janë të detyrueshëm njësoj për Serbinë dhe për Kosovën” – ka shkruar Bytyçi duke theksuar se

bazuar në këto parime dhe dokumente Albin Kurti u zotua për formimin e Asociacionit, bazuar në marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin i Ohrit, duke i zbatuar në mënyrë integrale. Ndërsa kryeministrja e Serbisë, Anna Brnabic, i dërgoi letër para gjashtë muajsh këtij Këshilli Europian, në të cilën thoshte se “Serbia nuk do të pranojë dhe lejojë që Kosova të pranohet në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB në”………………

 

 

Advertisement