Kosova
Serbia ka armë por jo ushtri, shqiptarët vdesin për vendin e tyre
Avokati serb nga Beogradi, Sead Spahoviç, ka thënë se Serbia nuk ka ushtri dhe nuk është e gatshme të futet në Kosovë edhe pse ditë më parë kryeministri serb Millosh Vuçeviç, ka thënë se “Qeveria e Serbisë do të detyrohet të përgjigjet në mënyrë adekuate” nëse Kosova pranohet në Këshillin e Evropës.
“Ata nuk kanë ushtri dhe prandaj nuk e bëjnë dot. Por mund të gudulisin opinionin publik në Serbi, i cili ka vullnet që ushtria të kthehet në Kosovë, pasi ajo është tokë e shenjtë serbe, fjala më e shtrenjtë serbe etj. Dhe kaq është e gjitha”. – tha Spahoviç në një intervistë për The Geopost.
Sipas tij, Serbia ka armë, por nuk ka ushtarë kurse Kosova ka dhe ky është një dallim i rëndësishëm, prandaj Serbia nuk mund të bëjë asgjë me forcë.
“Nëse do të mundnin, do të hynin, është thjesht çështje ekuilibri fuqie ose nëse doni edhe frike. Sepse, kini kujdes, shqiptarët vdesin për Kosovën e tyre, e serbët jo, dhe ky është dallimi themelor, prandaj nuk ka mundësi për një konflikt ushtarak”- theksoi avokati serb duke potencuar-: “Nuk mund të vlerësoj se si është situata me Republikën Srpska sepse edhe atje kanë pretendime. Në përgjithësi Serbia, kudo ku ajo ka minoritete krijon trazira dhe bën rrëmujë, në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, po ashtu edhe në Bosnje. Vetëm në Kroaci nuk munden, por kur kanë mundur e kanë bërë edhe atje”.
Para disa ditësh në debatin e ashpër dhe kundërshtues në skenën politike serbe rreth Plan-Propozimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, u përfshi edhe avokati i shquar serb,Spahoviç.
Ai tha se marrëveshja “është e mirë” dhe se normalizimi i marrëdhënieve “duhet të bëhet” rruga e drejtë për anëtarësimin e të dyja shteteve në Bashkimin Evropian.
Sipas avokatit serb, “Beogradi nuk ka kurrfarë sovraniteti në Kosovë” dhe se “Kosova do të vazhdojë rrugën e saj mëvete” sepse “është shtet me kushtetutë, institucione, territor dhe popull që jeton atje”
Është normale që pala humbëse e luftës së Milloshevicit të vuajë pasojat, theksoi Spahoviç, por kundër kësaj janë politikanët dhe mediat në Serbi, duke harruar se në opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ne vitin 2010, thuhet se “pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.
“Ky argument përdoret vetëm kur qeveria dëshiron tju ‘pickojë hundët’ qeverive të kaluara që kontribuan në pavarësimin e Kosovës”, tha ai për median.
“Duke u nisur nga fakti se Kosova fitoi luftën dhe Serbia u tërhoq nga ai territor, si dhe prej verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, rrjedh se Kosova është shtet” – deklaroi Sead Spahoviç