Kosova
Serbia nën sanksione/ Von Cramon: Është përgatitur një paketë…
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se ndaj Serbisë është përgatitur një paketë masash, si përgjigje ndaj sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator. “Nuk do t’i quaja ende sanksione, sepse ato duhen miratuar nga Këshilli, por flasim për masa politike dhe financiare, që natyrisht do të dëmtojnë qeverinë e Serbisë”, tha Von Cramon. Ajo gjithashtu ka theksuar se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duhet që të bashkëpunojë dhe të sigurojë një hetim korrekt për sulmin terrorist, ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku. “Vuçiç kontrollon shumëçka në Serbi. Vështirë të mendohet se ai nuk kishte dijeni se çfarë po ndodhte përsa i takon blerjes së armatimeve, apo organizimit të grupit agresor. Megjithatë, nuk mendoj se Serbia ka interes për një sulm më të madh ushtarak, apo për luftë” – deklaroi Von Cramon. Eurodeputetja nga radhët e të Gjelbërve, ka potencuar se është më rëndësi që Serbia “të nënshkruajë çdo marrëveshje të arritur me Kosovën”, ndërsa Prishtina duhet që të sigurojë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ajo ka deklaruar se për çështjet e mbetura pezull në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, “është në diskutim një propozim i ri”. “Shumë diplomatë po hartojnë një tjetër propozim se si do ecet para me dialogun, por më shumë detaje nuk mund të jap për momentin” – deklaroi Von Cramon. Po cfare ndodhi të dielën e 24 shtatorit? Një grup i armatosur ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku. Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – morri përgjegjësinë për këtë sulm dhe paskësaj u arrestua, për tu lënë I lire 24 orë më pas. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë. Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën. Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake. Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.