Kosova
Serbia njeh Kosovën/ Bugajski: Kur Rusia të humbë luftën
Analisti i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare, Janush Bugajski në një intervistë televizive është shprehur në mbështetje të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti sa i takon kushteve të vendosura për Asociacionin.
Ai tha se faktori ndërkombëtar duhet t’i bëjë më shume presion Serbisë dhe të kushtëzojë anëtarësimin e saj me kushtet e Kosovës.
Në lidhje me njohjen reciproke, Bugajski tha se Serbia do ta njohë Kosovën, kur Rusia të humbë luftën dhe influencën e saj në rajon. Sipas tij, kjo ka më shume gjasa të ndodhë, kur Rusia të humbasë luftën dhe rolin e ndërhyrjes së saj në Ballkan.
“Jam optimist që kjo gjë herët apo vonë do të ndodhë. Mbase nuk do të ndodhë gjatë kësaj qeverie, pra qeverisë së Vuçiç. Gjasat më shumë janë që të ndodhë kur Rusia ta humbë luftën në Ukrainë, të dobësohet dhe të mos ndërhyjë më në Ballkan. Dhe me shumë gjasa do të ndodhë kur kushte më të ashpra do t’i vendosen Beogradit për të pranuar pavarësinë e Kosovës. Pra me fjalë të tjera, ti e pranon të hapet rruga e anëtarësimit në BE, në të kundërt nuk ka mundësi anëtarësimi, por do humbasësh dhe fondet e BE”, tha Bugajski.