Connect with us

Kosova

Serbia njeh Kosovën?/ Hill: Eshtë më e ndërlikuar se kaq…

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka bërë një deklaratë tejet problematike përsa i përket qasjes që Serbia duhet të ketë në raport me Kosovën, dhe kërkesat që vijnë në drejtim të Beogradit për këtë çështje. Hill gjatë “Forumit të Sigurisë në Beograd”, në panelin “Ballkani Perëndimor në (ç)rregullim global”, ka theksuar se Serbisë po i thonë “hajde, mbaroi, Kosova është e pavarura, duhesh të mendosh për të ardhmen”, por sipas tij kjo çështje nuk është kaq e thjeshtë. “Do të doja të ishte kështu, por mendoj se është më komplekse se kaq”, tha diplomati amerikan. Ai ka shtuar se është e nevojshme të inkurajohen të dyja palët që të dëgjojnë njëri-tjetrin, duke nënvizuar se “ndonëse është këshillë për gjashtëvjeçarët, është e vlefshme të kemi mirëkuptim të ndërsjellë”. Ambasadori gjithashtu ripërsëriti qëndrimin e tij persa i përket sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke kërkuar që fillimisht të kuptohet se çfarë ka ndodhur, në mënyrë që të parandalohen ngjarje të tilla në të ardhmen. Ai vuri në pah domosdoshmërinë e zgjidhjes politike të krizës, duke shtuar se në këtë drejtim Bashkimi Evropian ka dhënë një koncept – “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe për serbët në Veri të Kosovës, në këmbim të ndërkombëtarizimit për Kosovën”. Po ashtu, Hill potencoi se është duke u përpjekur që ta harrojë Konferencën e Rambujës së vitit 1999, në të cilën ai ishte i përfshirë direkt, duke thënë se situata ka ndryshuar nga atëherë. Në atë kohë, theksoi ai, “njerëzit kishin makthe për Ballkanin, ndërsa sot ka shumë situata të tjera që e bëjnë të pamundur zhvendosjen e gjithë fokusit në Ballkan”. “Unë mendoj se është e rëndësishme që BE dhe SHBA të përpiqen të gjejnë një mënyrë për të mbështetur njëri-tjetrin së bashku dhe që Ballkani të jetë aty ku i takon gjeografikisht. Ka shumë kushte normative dhe kjo është e kuptueshme sepse në çdo klub të mirë duhet të ketë disa standarde, prandaj mendoj se të gjitha vendet e Ballkanit duhet të bëjnë gjithçka për t’i arritur ato”, deklaroi ambasadori amerikan. Hill tha gjithashtu se ai nuk mendon se Rusia ka shumë për të ofruar në këtë rajon. “Nuk kam asnjë dyshim se ky vend dhe vendet e tjera të rajonit duhet të anëtarësohen në BE dhe NATO. E ardhmja e tyre është atje dhe nuk ka rrugë tjetër, nuk ka alternativë dhe sigurisht që nuk është Moska. Sa më shpejt që njerëzit ta kuptojnë këtë, aq më shpejt do të arrihen ato qëllime”-, tha Hill duke shtuar se sa herë që sheh më shumë trupa, NATO e di se ata do të kontribuojnë për zgjidhjen. Gjithashtu, duke paralajmëruar vizitën e të dërguarve ndërkombëtarë në rajon në ditët në vijim, ai tha se kjo flet për rëndësinë e përpjekjeve për zgjidhjen e situatës në Kosovë.

Advertisement