Connect with us

Sport

Serie A/ Juventusi thyen mallkimin e barazimeve në Bologna, Edon Zhegrova ngroh ulësen

Juventus-i ka arritur të thyejë “mallkimin” e barazimeve përballë Bologna-s. Bardhezinjtë i mundën këta të fundit 0-1 në stadiumin “Renato Dall’Ara” këtë të diel në mbrëmje.

Pas pesë barazimeve radhazi mes dy skuadrave, Juventus-i më në fund është rikthyer të fitojë kundër Bologna-s. Për herë të fundit, bardhezinjtë kishin fituar në fushën e Bologna-s në dhjetor 2021, 0-2.

Dueli i kësaj të diele, ashtu siç edhe pritej, ishte tepër i luftuar, me dy skuadrat që kërkuan golin në çdo moment.

Megjithatë, goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 64-të me autor Juan Cabal-in. Kolumbiani shënoi me një gjuajtje me kokë gjatë një goditjeje nga këndi.

Ky është goli i dytë sezonal i Cabal-it me Juventus-in në Serie A, pas atij në barazimin 1-1 kundër Atalanta-s.

Pas golit, situata për vendasit u përkeqësua pasi Torbjorn Heggem u ndëshkua me karton të kuq.

Edhe pse me një lojtar më pak, Bologna provoi të ndëshkonte Juventus-in, por nuk kishte forcën e duhur.

Përfundimisht, Juventus-i mori tri pikë me mjaft vlera në një fushë të vështirë.

Me këtë fitore, “Zonja e Vjetër” ngjitet në vendin e pestë në Serie A me 26 pikë, 7 pikë pas Inter-it kryesues. Bologna zbret në vendin e gjashtë me 25 pikë.

Advertisement