Kosova
Serwer: Vuçiç do të destabilizojë Ballkanin dhe do t’i japë fund perspektivës evropiane
Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins, duke folur për përpjekjet e presidentit serb Aleksander Vuçiçi për t’u afruar me Presidentin amerikan Donald Trump—përmes përpjekjeve për t’ia shitur ndërtesën e ish-Shtabit të Përgjithshëm (Generalštab) dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner—deklaroi se tërheqja nga kjo marrëveshje tregon ftohje të marrëdhënieve me Uashingtonin. Ai u shpreh gjithashtu se sheh këtë si një zhvillim pozitiv, pasi zvogëlon gjasat që sundimi i ligjit dhe demokracia të “shiten” për interesa afatshkurtra.
Lidhur me të ashtuquajturin koncept të “Botës Serbe”, Serwer paralajmëroi se ai përfaqëson një version të modernizuar të projektit “Serbia e Madhe”, i cili, sipas tij, sjell rrezikun e destabilizimit, vdekjes dhe shkatërrimit në të gjithë Ballkanin, njësoj si në vitet 1990.
Profesori amerikan shton se kjo qasje do ta mbyllte perspektivën evropiane të Serbisë dhe do të rrezikonte sigurinë dhe prosperitetin e qytetarëve të saj.
Persa i përket të ardhmes së rajonit në vitin 2026, Serwer shpreh pesimizëm, duke parashikuar ngecje të mëtejshme në marrëdhëniet rajonale. Ai sheh shpresën kryesore për përparim në anëtarësimin në BE për Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa vëren se Serbia ka zgjedhur një rrugë shumë më të ngadaltë.