OPINION
‘Shahu i madh gjeopolitik’

Nga Red Varaku
‘SHAHU I MADH GJEOPOLITIK’
Zbigniew Brzezinski, një nga strategët më të famshëm të Shteteve të Bashkuara shkruante se Eurasia (nga Evropa në Azi) është bërthama ku luhet fati i dominimit botëror.
Në fakt kjo është kryeteza e tij e përmbledhur në librin e tij legjendar “The Grand Chessboard”, libër që ka qenë manual gjeopolitik dekada të politikës së jashtme Amerikane.
Referuar luftës në Ukrainë dhe tensioneve në Lindjen e Mesme Brzesinski na jep një fotografi të qartë se çfarë po ndodh sot.
Sipas tij Ukraina është pengesa që frenon ringjalljen e Rusisë. Sipas tij Ukraina nuk është thjesht një shtet fqinj i Rusisë. Ukraina është çelësi i kontrollit të gjithë Eurasisë.
Ai paralajmëronte qartë që pa Ukrainën, Rusia nuk ka më fuqi të rikthehet si perandori euraziatike,“Ukraina është një hapësirë e re dhe e rëndësishme në drejtkēndëshin euraziatik.
Vetë ekzistenca e saj si shtet i pavarur e transformon Rusinë. Pa Ukrainën, Rusia pushon së qeni një perandori euraziatike.”
Për këtë arsye, çdo qeveri amerikane, pa përjashtim, ka investuar miliarda dollarë dhe ndikim diplomatik për ta mbajtur Ukrainën të pavarur dhe të orientuar drejt Perëndimit.
Ndërkaq Lindjen e Mesme Brzezinski e cilësonte si “Ballkanin Euraziatik”. Ai e konsideronte atë një zonë të brishtë, e përfshirë nga konflikte, por jetike për ekonominë botërore për shkak të rezervave të mëdha të naftës dhe gazit.
Ai argumentonte se kontrolli mbi Lindjen e Mesme nuk është luks, por nevojë strategjike.
Pa stabilitet në Gjirin Persik dhe zonat rreth Detit Kaspik, tregjet globale të energjisë mund të tronditen duke krijuar kaos ekonomik dhe politik.
Brzezinski shkruante se detyra historike e SHBA-së është të sigurojë që asnjë fuqi të mos arrinte ta dominonte atë qoftë Rusia, Kina apo qoftë një bllok islamik. Sepse kushdo që e bën këtë, nesër mund të sfidojë drejtpërdrejt primatin amerikan në botë.
Prandaj, Ukraina dhe Lindja e Mesme shihen si pika nervore: nëse bien në duar të gabuara, balanca globale rrezikohet.
Sot, teksa lufta në Ukrainë vazhdon, ndërsa Lindja e Mesme po përballet me tensione të forta, mesazhi i Brzezinskit duket më aktual se kurrë, sepse kontrolli i këtyre rajoneve është kontroll i vetë rendit botëror.

