Connect with us

Bota

SHBA/ Arrestohet aktivisti palestinez që organizoi protestat anti-izraelite në Universitetin e Kolumbias

Autoritetet federale të imigracionit arrestuan një student palestinez, i cili luajti një rol të rëndësishëm në protestat anti-izraelite të pranverës së kaluar në Universitetin e Kolumbias, sipas avokates së tij.

Mahmoud Khalil ishte brenda konviktit të Universitetit të Kolumbias të shtunën mbrëma afër Manhatanit, kur disa agjentë të Imigracionit dhe Doganave hynë në ndërtesë dhe e arrestuan atë, tha avokatja e tij, Amy Greer, për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Avokatja Greer tha se kishte folur në telefon me një nga agjentët gjatë arrestimit, i cili tha se ata po vepronin bazuar në një urdhër të Departamentit të Shtetit për të anuluar vizën studentore të Mahmoud Khalilit. I informuar nga avokatja se zoti Khalil ndodhet në Shtetet e Bashkuara me status të banorit të përhershëm me kartë jeshile, agjenti tha se ata po e revokonin edhe atë.

Arrestimi duket se është ndër veprimet e para të njohura bazuar në premtimin e Presidentit Donald Trump për të dëbuar studentët e huaj, që iu bashkuan protestave në universitete kundër luftës së Izraelit në Rripin e Gazës pranverën e kaluar. Administrata e tij ka pretenduar se pjesëmarrësit humbën të drejtat e tyre për të qëndruar në vend duke mbështetur Hamasin, një organizatë terroriste.

 

 

Mahmoud Khalil shërbeu si përfaqësues i studentëve ndërsa ata negocionin me zyrtarët e universitetit për të mbyllur kampin me çadra në pronën e universitetit, një rol që e bëri atë një nga aktivistët e paktë studentorë të gatshëm të publikonin emrin dhe identitetin.

Autoritetet nuk pranuan t’i tregonin bashkëshortes së Mahmoud Khalilit, e cila është në muajin e tetë shtatzënisë, nëse ai ishte akuzuar për kryerjen e një krimi, tha avokatja Greer. Mahmoud Khalil që atëherë është transferuar në një qendër paraburgimi për imigrantët në Nju Xhërsi.

“Nuk kemi qenë në gjendje të marrim më shumë hollësi se pse ai është ndaluar”, tha avokatja Greer për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Një zëdhënës i Universitetit të Kolumbias tha se agjentët e zbatimit të ligjit duhet të ttegojnë një urdhër gjykate para se të hyjnë në pronën e universitetit, por nuk pranoi të thoshte nëse shkolla kishte marrë një të tillë para arrestimit të Mahmoud Khalilit. Zëdhënësi gjithashtu nuk pranoi të komentonte rreth arrestimit të studentit palestinez.

Departamenti i Shtetit, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Zyra e Imigracionit dhe Doganave nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare mund të fillojë procedurat e dëbimit të një personi me kartë jeshile për një gamë të gjerë aktivitetesh kriminale, duke përfshirë mbështetjen e një grupi terrorist. Sipas Camille Mackler, themeluese e organizatës Immigrant ARC, që ofron shërbime ligjore në Nju Jork, heqja e statusit të banorit të përhershëm është përgjegjësi e një gjykatësi të imigracionit.

“Kjo i ngjan një veprimi hakmarrës kundër një njeriu që ka shprehur një mendim që nuk i pëlqeu administratës së Presidentit Trump”, tha zonja Mackler.

Zoti Khalil ishte në mesin e atyre që u hetuan nga një zyrë e re e Universitetit të Kolumbias, e cila ka ndërmarrë masa disiplinore kundër dhjetëra studentëve që kanë kritikuar Izraelin, sipas të dhënave që siguroi agjencia e lajmeve Associated Press.

Këto hetime pasojnë vendimin e administratës së Presidentit Trump për shtimin e kontrollit mbi Universitetin e Kolumbias për shkak të veprimeve që qeveria thotë se janë dështim në përpjekjet për të shuar antisemitizmin në kampus. Të premten, agjencitë federale njoftuan se do të pezullojnë 400 milionë dollarë grante dhe kontrata për universitetet.

Akuza kundër studentit Mahmoud Khalil u përqëndrua në përfshirjen e tij në grupin ‘Aparteid Divest’ të Universitetit të Kolumbias, duke pretenduar se ai kishte ndihmuar në organizimin e një “marshimi të paautorizuar” që lavdëroi sulmin terrorist të 7 tetorit 2023 të Hamasit në Izraelin jugor dhe luajti një “rol thelbësor” në qarkullimin e postimeve në mediat sociale që kritikonin zionizmin.

“Janë ngritur 13 akuza kundër meje, shumica prej tyre janë për postime në mediat sociale me të cilat nuk kam asnjë lidhje”, tha Mahmoud Khalil javën e kaluar.

“Ata thjesht duan t’i tregojnë Kongresit dhe politikanëve të djathtë se po bëjnë diçka, pavarësisht nga veprimet e studentëve”, shtoi ai. “Është kryesisht një zyrë për të kufizuar fjalimin pro-palestinez.”

Advertisement