Kosova
SHBA-ja falënderon Kosovën për mbështetjen e prioritetit të Trumpit për deportimin e të huajve

Departamenti amerikan i Shtetit ka shprehur mirënjohje ndaj Kosovës pas vendimit për pranimin e shtetasve të huaj që janë dëbuar nga territori i SHBA-së, duke kujtuar se ky është një prioritet i lartë i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, i cili synon të realizojë “operacionin më të madh të deportimit” në historinë e SHBA-së.
“Ne mirëpresim bashkëpunimin rreth prioritetit kryesor të administratës Trump”, ka deklaruar Departamenti i Shtetit, duke vlerësuar gatishmërinë e Kosovës për të ndihmuar në lehtësimin e kthimit të këtyre personave në vendet e tyre të origjinës.
“Jemi mirënjohës ndaj Kosovës, partnerit tonë, për pritjen e shtetasve të vendeve të treta që janë dëbuar nga SHBA-ja dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të tyre në vendet e prejardhjes”, ka shtuar Departamenti i Shtetit për “CBS News” të mërkurën.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të mërkurën se qeveria e tij ka miratuar një vendim për pranimin dhe strehimin e përkohshëm të deri 50 migrantëve, në kuadër të kërkesës së marrë nga SHBA-ja që të pranojë migrantë.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e 262-të të qeverisë në detyrë, i cili parasheh që Kosova të ofrojë strehim për këta persona për një periudhë njëvjeçare, në bashkëpunim me SHBA-në, duke synuar lehtësimin e kthimit të tyre në vendet e origjinës.
“Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata ai plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi”.
SHBA-ja, ka shtuar kreu i ekzekutivit, mbeten aleat i palëkundur i Kosovës dhe Kosova do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i SHBA-së. “U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit euro-atlantik”.
Ndryshe, kjo është pjesë e një strategjie intensive dhe agresive të administratës Trump për të gjetur qeveri të gatshme në vendet e rajonit që të pranojnë migrantë që janë në prag të deportimit, përfshirë edhe ata që kanë hyrë në vend gjatë administratës së mëparshme amerikane, duke përfituar nga mbrojtja e përkohshme humanitare.
Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, presidenti Trump ka nisur një fushatë të fuqishme kundër emigracionit të paligjshëm, duke kontaktuar shtete nga Azia, Afrika, Amerika Latine dhe rajone të tjera për marrëveshje për deportimin e migrantëve.
Gjatë kësaj periudhe, administrata e Trumpit ka deportuar qindra migrantë nga Azia dhe Afrika drejt Kosta Rikës dhe Panamasë. Gjithashtu, rreth 200 venezuelas të dyshuar për lidhje me grupe famëkeqe kriminale janë deportuar në El Salvador.

