Connect with us

Politike

SHBA uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë

Shtetet e Bashkuara kanë uruar Shqipërinë me rastin e Ditës së Pavarësisë, përmes një deklarate të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio.

Ai thekson marrëdhëniet e forta mes dy vendeve dhe rolin e Shqipërisë në sigurinë e përbashkët.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë teksa festoni Ditën e Pavarësisë”, e nis mesazhin e tij zyrtar Rubio.

Rubio nënvizon se partneriteti mes SHBA-ve dhe Shqipërisë mbështetet në angazhimin e përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë, duke theksuar rëndësinë e aleancës së dy vendeve brenda NATO-s.

“Aleanca jonë në NATO është themel i mbrojtjes sonë të përbashkët, dhe ne mirëpresim investimet e rritura të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive”, shton kryediplomati.

Sekretari i Shtetit vlerëson gjithashtu bashkëpunimin gjithnjë e më të ngushtë mes organeve ligjzbatuese të të dy vendeve, duke theksuar luftën e përbashkët kundër grupeve kriminale ndërkombëtare, trafikut të drogës dhe rrjeteve që bashkëpunojnë me to.

“Partneriteti ynë me forcat ligjzbatuese shqiptare i bën qytetarët tanë më të sigurt, ndërsa përballemi me kërcënimet e krimit të organizuar transnacional”, vijon Rubio, duke përmendur edhe progresin e Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike.

Në përfundim, ai shprehet se SHBA-të mbeten të angazhuara për të thelluar bashkëpunimin në siguri, ekonomi dhe miqësi afatgjatë me Shqipërinë.

Advertisement