Bota
SHBA/ Vrasja e tre vajzave nga babai i tyre, detaje të reja tronditëse: Ai i mbyti me një qese mbi kokë dhe ua lidhi duart

Shtetet e Bashkuara po ndjekin me tronditje zhvillimet rreth vrasjes së dyshuar të tre motrave – Patin, 9 vjeç; Evelyn, 8 vjeç dhe Olivia, 5 vjeç- nga babai i tyre, 32-vjeçari Travis Decker. Sipas dosjes së çështjes që u ngrit pas zbulimit të trupave, vajzat u gjetën me qese plastike mbi kokë dhe me duar të lidhura. Trupat e tyre të pajetë u zbuluan të hënën pasdite në një argjinaturë pranë një kampingu në Wenatchee, në shtetin e Uashingtonit.
Provat e para mjeko-ligjore treguan se shkaku më i mundshëm i vdekjes ishte asfiksia. Sipas raportimit të New York Post, vajzat ishin ende të veshura me të njëjtat rroba që kishin veshur të premten e kaluar, ditën kur u raportuan të zhdukura. Po atë ditë, Decker i kishte marrë vajzat për një vizitë të planifikuar nga shtëpia ku ato jetonin me nënën e tyre, por nuk kishte treguar se ku do t’i çonte. Në pjesën e pasme të kamionit të Decker u gjetën dy gjurmë pëllëmbësh të përgjakura, ndërsa të dhënat nga telefoni i tij celular tregojnë se ai ka qenë në zonën ku u gjetën trupat të shtunën.
Kush është Travis Decker?
Ndërkohë, vazhdojnë kërkimet për 32-vjeçarin Travis Decker, i cili akuzohet për rrëmbim dhe vrasje. Autoritetet kanë shpallur një shpërblim prej 20,000 dollarësh për çdo informacion që çon në arrestimin e tij.
Decker është një veteran i ushtrisë, për të cilin ish-bashkëshortja dhe nëna e vajzave kishte ngritur shqetësime të përsëritura mbi gjendjen e tij mendore, duke e përshkruar si gjithnjë e më të paqëndrueshëm. Ai kishte shërbyer si parashutist dhe kishte fituar titullin “Ranger”, që nënkupton aftësi për mbijetesë dhe arratisje në kushte ekstreme. Ishte gjithashtu i certifikuar si instruktor në Qendrën Kombëtare të Stërvitjes së Luftëtarëve të Gardës Kombëtare në Fort Benning, Georgia, dhe ishte pjesë e Gardës Kombëtare të Uashingtonit që nga viti 2021. Sidoqoftë, përballej me proces shkarkimi nga detyra për shkak të mungesave të përsëritura në stërvitjet mujore.
Në vitin 2024, gruaja e tij, Whitney, paraqiti kërkesë për divorc, duke përmendur si arsye paqëndrueshmërinë e tij mendore. Sipas saj, Decker ishte diagnostikuar me çrregullim kufitar të personalitetit (BPD) dhe kishte shfaqur sjellje narciziste, ndërkohë që ajo dyshonte se ai nuk po merrte më trajtimin e nevojshëm.
“Ai ka qenë për shumë vite në ushtri. Pas lirimit dhe kalimit në rezervë, çrregullimet e tij mendore dhe narcizmi dolën jashtë kontrollit,” tha ajo në kërkesën për divorc. Ajo shtoi se në muajt e fundit gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm: “Pati disa shpërthime të dhunshme, hyri me forcë në shtëpinë time përkundër kundërshtimeve të mia dhe bërtiste për vajzat.”

