Kosova
Shea paralajmëron: Ekstremistët serbë depërtojnë në Kosovë
Ish-zëdhënësi i NATO-s në kohën e luftës së Kosovës, Jamie Shea, i cili është edhe profesor i Strategjisë dhe Sigurisë në Bruksel, thotë se dislokimi i sistemeve kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën nga Serbia, “nuk ka absolutisht asnjë kuptim”, pasi Kosova nuk paraqet asnjë kërcënim për Serbinë dhe nuk ka forcë ajrore të saj.
“Kërcënimi kryesor do të ishte për helikopterët e KFOR-it që fluturojnë në hapësirën ajrore të Kosovës, gjë që do ta bënte një dislokim të tillë një akt armiqësor ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Prej Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, I cili vizitoi Serbinë, presim të shpresojmë të ketë zbuluar saktësisht se çfarë po planifikon Presidenti Vuçiç dhe ta ketë bindur atë të mos përshkallëzojë situatën” – potencoi Shea.
Duke folur për paralajmërimin e presidentit të Ukrainës, Vlodymyr Zelensky se ka informacione se Rusia po planifikon të nis “një luftë në Balllkan”, Shea vuri në pah se “Moska mund të ketë një interes për të nxitur më shumë probleme në Ballkanin Perëndimor për të larguar vëmendjen e NATO-s nga agresioni i saj kundër Ukrainës”.
“Megjithatë, nëse Serbia është serioze për anëtarësimin e saj në BE, ajo duhet të mbyllë rrjetet ruse të ndikimit brenda Serbisë dhe çdo formë bashkëpunimi midis Moskës dhe grupeve paraushtarake serbe nëse zbulohen këto lidhje. Nëse këto grupe ekstremiste ilegale nuk shpërbëhen, ekziston jo vetëm një rrezik, por një probabilitet i madh që ata të depërtojnë në Kosovë për të shkaktuar dhunë dhe kaos të mëtejshëm” – deklaroi ish zedhenesi I NATO-s.
Për mos t’u përsëritur sulmet terroriste dhe për ta siguruar më mirë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, ai insistoi që NATO duhet të rris përgjithmonë numrin e ushtarëve në Veri – për ta parandaluar futjen e paraushtarakëve serbë dhe kontrabandës së armëve.