Kronike
Shënjestra e atentatit, Erogen Vaso kundërshton deklaratën e Ragip Gilës: Unë as nuk e njoh

Shënjestra e atentatit të Ragip Gilës në Shkodër, Erogen Vaso ka folur prap ditën e sotme me hetuesit e ngjarjes së rëndë. Nga spitali i Traumës ku ndodhet aktualisht, Vaso ka pranuar se ka miqësi me pjesëtarët e fisit Bajri, por ka mohuar thelbësisht që të jetë i përfshirë në ngjarjet kriminale. Për Gilën, Vaso tha se nuk e njeh dhe nuk ka asnjë konflikt me të.
“Me pjesëtarët e fisit Bajri kam miqësi nuk e mohoj këtë, por s’jam i përfshirë në asnjë ngjarje kriminale. Ragip Gilën s’e njoh dhe s’kam asnjë konflikt me të,” tha Vaso.
Si ndodhi vrasja?
Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, kur Ragip Gila qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Erogen Brajoviç. Nga atentati mbeti i vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi) 31 vjeç, truproja i Erogen Brajoviç. Truproja e Erogen Brajoviç, ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra nga breshëria e plumbave. Kurse të plagosur mbetën shënjestra e dyshuar, Erogen Brajoviç dhe kamarierja 25-vjeçare e lokalit, Meri Kaceri. Erogen Brajoviç, i cili mori tre plumba, ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.

