Kronike
Shënohen viktimat e para nga moti i keq
Moti i keq ka shënuar viktimat e para. Pas 16 orësh kërkime, janë gjetur trupat e pajetë të babë e bir në Shkodër. Pjetër Rushaj së bashku me djalin e tij, Jason u gjetën të pajetë mëngjesin e kësaj të hëne në Bogë. Ato po udhëtonin me makinë gjatë kohës kur vendi u përfshi nga rrebeshe shiu dhe humbën kontaktet në vendin e quajtur “Grykë Lugje”. Për kërkimin e tyre u angazhuan polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, të cilët bënë të mundur gjetjen e trupave të pajetë.
Ndërkohë, situata vijon të jetë problematike sa i takon pasojave nga moti i keq që ka përfshirë vendin këto 2 ditë
Qarku Shkodër: Më problematike situata paraqitet në qarkun e Shkodrës. Ministria e Arsimit ka marrë vendimin për pezullimi në 16 shkolla në këtë qark.
Qarku Lezhë: Edhe pse gjatë natës territori i Lezhës ka pasur reshje me intensitet të ulët, disa zona kanë ende probleme me energjinë elektrike. Aktualisht janë të përmbytura rreth 1500 hektarë tokë bujqësore në Zadrime, Torovice dhe Kakarriq si dhe dy shtëpi kanë prezence uji në Kakarriq. Ndërkohë, është bllokuar rruga që lidh fshatin blinisht me superstradën Lezhë-Shkodër. Ky segment ka prezence uji dhe është i pakalueshëm për autoveturat.
Qarku Durrës: Në Fushë Krujë gjatë natës ka dalë nga shtrati lumi Ishëm, ku uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore kryesisht në fshatin Murqinë dhe Mallkuç ku niveli i ujit nëpër ara shkon në rreth 50 cm. Aktualisht janë rreth 10 banesa të izoluara nga uji në fshatin Murqinë.
Qarku Gjirokastër: 5 njësi Administrative, Luftinjë Bashkia Memaliaj, Piskovë e Frashër Bashkia Përmet, Zagorie Bashkia Libohovë, Dropull i Sipërm Bashkia Dropull, Odrie Bashkia Gjirokastër kanë mbetur pa energji elektrike. Disa akse rrugore janë bllokuar gjatë natës nga rrëshqitja e gurëve, por me ndërhyrjen e ARRSH janë liruar.
…
Viktimat e para nga moti i keq! Pas 16 orësh kërkime intensive, gjenden trupat e pajetë të babë e bir që i mori rrjedha e ujit në Shkodër
Ditën e sotme janë gjetur trupat e pajetë të babë e bir (Pjetër dhe Jason Rushaj) që i mori rrjedha e ujit të përroit në Malësi të Madhe teksa po lëviznin me automjet. Ata janë viktimat e para nga moti i keq që ka përfshirë territorin e vendit. Një ditë më parë shpëtoi vajza, e cila arriti të dilte nga makina dhe u ndihmua nga një banor i zonës ndërsa aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Të tre po udhëtonin me makinën që drejtohej nga babai Pjetër Rushaj por i mora rrjedha e ujit në Bogë.
“Pas 16 orë kërkimesh intensive, gjatë pasdites së djeshme, gjatë natës dhe gjatë mëngjesit të sotëm, nga polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në gjatësinë e përroit, në Bogë, u bë e mundur gjetja e dy trupave (babë e bir)” – njofton policia.