Kronike
Sherr mes 7 shqiptarëve në një lokal në Greqi/ Vritet 30-vjeçari
Vritet aksidentalisht shqiptari Pëllumb Islami në Athinë. Ky është konkluzioni i policisë greke pas të shtënave që u dëgjuan rreth orës 23:40 në një kafe në zonë e Nea Ionia në Athinë. Shqiptari u lëndua rëndë dhe u dërgua në spital, por pas rreth 3 orësh humbi betejën me jetën. Identiteti i tij nuk bëhet i ditur, por mësohet se viktima ishte 30 vjeç. •Gjithçka ka nisur kur në kafene mbërriti një grup prej 7 shqiptarësh të cilët kanë qenë duke debatuar para se të uleshin aty. •Të shtatë dolën më pas në rrugë dhe papritur një prej tyre ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar. •Për pasojë një plumb ka prekur shqiptarin tjetër, i cili nuk ka pasur lidhje me bashkatdhetarët e tij që po konfliktoheshin. •Pas plagosjes të shtatë shqiptarët e tjerë janë arratisur dhe nuk janë vënë ende në pranga. •Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur një makinë tip “Jeep”, e cila dyshohet se i përket një prej shqiptarëve që po konfliktohej. •Policia po ashtu ka gjetur në vendin e ngjarjes 6 gëzhoja pistolete.
GREQI/ Makinat e 7 shqiptarëve u morën me qira, shkuan në lokal si 2 grupe të ndryshme për t’u sqaruar, debati përfundoi me vrasje
GREQI– Shqiptarët e përfshirë në vrasjen e 37-vjeçarit Pëllumb Islami, në Athinë, kishin marrë mjetet e tyre luksoze me qira. Kështu raportojnë mediat greke, të cilat specifikojnë se dy mjetet që u lanë pas nga autorët, janë marrë me qira në një zyrë e cila ndodhet në qendër të Athinës.
Autorët shqiptarë nisën të qëllonin me armë zjarri pas një sherri banal që nisi mes tyre brenda lokalit. Plumbat kapën Islamin, i cili ndodhej në vendin e gabuar në kohën e gabuar. Pas vrasjes së shqiptarit, Policia zbuloi jashtë kafenesë një mjet tip ‘Jeep’ i përdorur nga shqiptarët, ndërsa pranë vendit të ngjarjes u pa një makinë tjetër luksoze, e llojit ‘Benz’. Efektivët e policisë, të cilët kanë shkuar në vendngjarje që në momentin e parë, kryen kontrollin e plotë të makinave, për të identifikuar autorët.
Policia ka mundur të kontaktojë biznesin nga ku u morën makinat, për të zbuluar emrat e shqiptarëve.
Në vendngjarje janë grumbulluar nëntë gëzhoja nëntë milimetrash. Ndërsa në muret e dyqanit janë gjetur predha të cilat janë dërguar në Departamentin e Hetimit Kriminal, ku aktualisht po kryhen testet balistike për të përcaktuar se sa armë janë përdorur.
Oficerët e Sigurimit të Atikës, nga eksplorimi i zonës, dyshojnë se shtatë personat e shpallur në kërkim kanë shkuar në lokal si dy grupe për të diskutuar dhe në një moment ka pasur një mosmarrëveshje të rëndë që ka çuar në shkëmbimin e të shtëna.
FOTO/ Kush është shqiptari që u vra gabimisht gjatë një sherri me armë zjarri në Greqi
GREQI– Shqiptari që u vra aksidentalisht gjatë një sherri me armë zjarri në Greqi është identifikuar. 37-vjeçari quhet Pëllumb Islami, por të gjithë e thërrisnin Sandri dhe sipas informacioneve ishte me profesion hidraulik. Ai mbeti i vdekur pas një sherri banal në Athinë.
Gjithçka nisi pas një konflikti rreth orës 23:40, që disa klientë shqiptarë patën mes njëri-tjetrit në ambientet e një lokali. Sherri degjeneroi në përplasje fizike, e në vazhdim njëri prej tyre nxori një pistoletë që mbante me vete dhe qëlloi me armë ndaj grupit kundërshtar.
Plumbat plagosën një prej klientëve që ndodhej në lokal, i cili nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen. Ai u dërgua në spitalin KAT me plagë në gjoks dhe shpatull, por mjekët nuk mundën ta shpëtonin. Policia e cila mbërriti në vend ngjarje brenda pak minutash, tha se autorët mundën të largoheshin me një automjet të markës “Mercedes”, por nuk u bë i mundur ndalimi i tyre.
Në vend u gjetën shtatë gëzhoja dhe një plumb të deformuar, të cilat u dërguan për ekzaminim. Ende nuk dihen shkaqet e sherrit, por dyshohet për larje hesapesh mes bandave.