Rajon
Shfaqja e tiranit, që e sheh shqiptarin si hamall e njeri të egër

Në modelin ekspansionit serb, shqiptari e ka vendin në bodrum si hamall që ushqehet me sardele nga konservat. Këtë e ilustron sot sjellja dhe veprimet politike të presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Por një ndër definicionet më kuptimplota të sundimit të Vucic në Serbi vjen nga prof. dr. Millan Podunavac, profesor i shkencave politike në Universitetin e Beogradit dhe në Fakultetin e shkencave humane në Podgoricë.
Para disa javësh, ai në një intervistë të gjatë, mes tjerash, tha: “Nuk është hera e parë që në historinë politike lind tipi i sundimit siç e kemi sot në Serbi. Shfaqja e ‘tiranëve të popullarizuar’ dhe e njerëzve nga margjinat e shoqërisë të cilët kapin pushtetin, ka shoqëruar historinë politike që nga kohërat më të hershme. (…) Këso lloje sundimesh shfaqen zakonisht në vende në të cilat populli nuk ka vetëdije politike, andaj politika zbret rëndom në luftën e klikave të vogla të cilat luftojnë për pushtet dhe pasuri. Shumica e popullit shkon në ushtri, paguan tatime, kujdeset që mos e kap policia, por në thelb nuk ka punë me jetën politike. Blerja dhe korruptimi i individëve me ndikim zakonisht është mënyra e vetme që i lidh me udhëheqësit. Ky është, pak a shumë, përshkrimi që do t’i përgjigjej Serbisë”.

