Connect with us

Kosova

Shiste ekstazi në Tiranë, Vetëvendosje përjashton anëtarin

Besnik Mujeci, 40-vjeçari që është vënë në pranga nga policia shqiptare pas një aksioni antidrogë në Tiranë, që çoi në zbulimin e mbi 11.000 dozave ekstazi me vlerë 400 mijë euro, është përjashtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Anëtari i VV-së, që është njëherësh pjesë e parlamentit lokal të komunës së Prishtinës, u arrestua së bashku me kosovarin tjetër Mithat Ramadani, si dhe Kalem Picarin (24 vjeç), Ambra Myftarin (28 vjeçe) dhe Daniel Avdija (26 vjeç), të cilët banojnë në Tiranë.

Transporti i substancave narkotike realizohej nga grupi në fjalë përmes linjës së autobusave Prishtinë-Durrës dhe më pas dozat shiteshin në zonën e ish-Bllokut dhe lokalet e natës në Tiranë.

Lajmin e ka bërë të ditur anëtari i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Alim Rama, i cili shkruan në Facebook: “Komisioni Diciplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE”.

Pas marrjes së informacionit për arrestimin e asambleistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e subjektit tonë, Komisionin Diciplinor i LVV menjëherë ka trajtuar këtë rast. Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar që dukuritë e tilla të dënueshme dhe kundërligjshme, janë absolutisht të patolerueshme dhe do të luftohen e ndëshkohen”, ka shkruar ai.

Advertisement