Politike
Shkarkimi i drejtorit të parkut së Divjakës, Berisha: Nuk firmosi për ndërtimet e oligarkëve
Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim ku ka prezantuar kandidatin e tij për Bashkinë e Lushnjës.
Mes të tjerash Berisha foli edhe në lidhje me shkarkimin nga puna të Drejtorit të Parkut Kombëtar të Karavastasë, Ardian Koçi, i cili u pushua nga puna pas një interviste të dhënë për Zërin e Amerikës, vendim që u anulua sot nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Berisha tregoi një anë tjetër nga prapaskena e shkarkimit, u shpreh se Koçi ishte pushuar nga puna se nuk pranonte të firmoste për ndërtimet e oligarkëve në Karavasta.
“Çdo socialist i ndershëm dhe qytetar i ndershëm duhet të bashkohet me ne. Ardian Koçi, drejtori i Karavastasë, socialist i thekur, nuk ka rëndësi por punëtor i thekur më kanë thënë, që u rrinte i bënte shërbime. E pushuan sepse dha intervistë Zërit të Amerikës?! Nuk ishte halli i intervistës, por se nuk firmoste ndërtimet e oligarkëve, në Karavasta. Mbronte Karavastanë.
Shtroheni ju pyetjen. Çdo socialist i ndershëm duhet të bashkohet me ne. Të dalim nga monizmi, i cili ndrydh lirinë. Ndaj dhe ne në 14 maj nuk votojmë vetëm për Eduard Sharkun, por për demokracinë. Ne nxjerrim mësime nga gabimet. Në statutin që votuam në Kuvendin e 11 dhjetorit, thamë; nuk ka bojkot zgjedhjesh kurrë. Tani duhet ta bëjmë natën ditë për t’i rikthyer Shqipërisë pluralizmin në 14 maj. Edhe si akt. Ju keni konstatuar se çfarë qëndrimesh antikushtetuese mban Edi Rama për përpjekjen e tij të turpshme që PD mos të marrë pjesë në zgjedhje. Përpjekja e tij tregon tmerrin dhe frikën që ka nga vota juaj. Në 14 maj të gjithë shqiptarët do i jepni përgjigje. Kjo qeveri vjedh pasuritë tuaj, taksat tuaja, djersën tuaj. Ju përçmon dhe ju mashtron. Kjo nuk është retorikë, apo akuza boshe, jo jo! Ju them ju, është KLSH që deklaroi se në vitin 2022, në 9 muajt e parë u vodhën dhe u shpërdoruan 122 mld lekë, që do të thotë të dyfishosh rrogat në të gjithë Shqipërinë.”, tha Berisha.