Politike
Shkarkimi i kryebashkiakut! Këshilli i Ministrave vulos nesër ‘fatin’ e Veliajt

Këshilli i Ministrave do të mblidhet nesër në orën 12:00, ku pritet të vendosë për shkarkimin e Erion Veliajt. Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi pro shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe propozimi i është dërguar sot Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës.
Motivi që Këshilli Bashkiak Tiranë votoi për shkarkimin e Erion Veliajt është mosparaqitja në detyrë prej më shumë se 3 muaj. Veliaj ka sqaruar në kërkesën e tij se mungesa për më shumë se tre muaj, nuk është si pasojë e vullnetit të tij, por si rrjedhojë e një mase sigurie, të cilën do ta kundërshtojë në të gjitha instancat gjyqësore.
Vendimi i shkarkimit i cili do ti hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, pritet të kundërshtohet nga Erion Veliaj. Ky i fundit ka të drejtë të ankimojë vendimin e marrë në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve. Kushtetuesja më pas është organi që jep verdiktin.

