Politike
Shkarkimi i Veliajt/ Reagon Bardhi: I njëjti fund pas dere për ministrat e kryebashkiakët e korruptuar

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar unanimisht për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.
Në një reagim ndaj vendimit, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e quajti Veliajn simbol të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.
Bardhi paralajmëroi se e njëjta rrugë pret edhe funksionarët e tjerë të korruptuar të mazhorancës. Ai përmendi konkretisht ministren Belinda Balluku, duke theksuar se ora e drejtësisë po afron.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Erion Veliaj – shëmbylltyra e Edi Ramës në krye të Bashkisë Tiranë – u shkarkua sot me votat unanime të Këshillit Bashkiak Tiranë. Ai iku nga drejtimi i bashkisë më të madhe në vend pa pasur mundësi të thoshte asnjë fjalë, t’i jepte dorën askujt dhe as të thoshte lamtumirë. Ai iku si funksionari simbol i korrupsionit, abuzimit dhe paligjshmërisë në krye të punëve të kryeqytetit.
I sotshmi nuk ishte një mesazh thjesht dhe vetëm për Erion Veliajn. Shkarkimi i sotëm ishte një paralajmërim për fundin që i pret të gjithë ata zyrtarë socialistë që në shërbim të Edi Ramës kanë vjedhur votat, kanë abuzuar me pushtetin, kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë përvetësuar pasuritë publike.
I njëjti fund që pret pas dere ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët e korruptuar të Edi Ramës, duke filluar nga Belinda Balluku. Ora e së vërtetës dhe drejtësisë mund të vonojë. Por, e sigurt është që ajo gjithmonë vjen. Dhe kur vjen, bie pamëshirshëm mbi të gjithë ata që privilegjin e rrallë të të shërbyerit të qytetarëve e shpërdoruan për ambicien, pushtetin dhe pasurimin personal. Kur ajo orë të vijë, “ëngjëlli mbrojtës” i të korruptuarve do të mjaftohet me një psherëtimë keqardhje të jashtme dhe ngërdheshjeje të brendshme që edhe kësaj here nuk ishte ai i rradhës.

