Connect with us

Aktualitet

Shkëlqen gjimnastika shqiptare, medalje bronzi në Portugali

Vendi i tretë dhe një medalje bronzi me shumë vlerë. Gjimnastika shqiptare ka shkëlqyer në edicionin e 5-të të “World Gym for Life Challenge”, aktivitet ky i realizuar në Lisbonë, Portugali. Ekipi Kombëtar i Gjimnastikës performoi denjësisht në këtë event, ku merrnin pjesë kombëtaret nga të gjitha vendet e botës. Gjimnastet tona, Merili Islami, Mishela Bitanji, Maria Zefi, Sara Moleci, Nil Elbasani, Nadia Daci, Enesa Sulaj, Chloe Qenanaj, Ilenia Sevdari, Silja Muhameti, Megi Papadhami, Iris Kadiu, Leandra Çela, Melisa Agolli, të trajnuara nga teknikët e ekipit kombëtar, shpalosën ndër performancat e tyre më të mira, duke e merituar një vend në podiumin e nderit.
Kjo është një dëshmi e qartë e ringjalljes së këtij sporti në Shqipëri. Sigurisht që ky sukses historik nuk është i rastësishëm, por rezultat i një pune të palodhur dhe një përkushtimi të jashtëzakonshëm, në radhë të parë nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, z.Leonard Lulaj. Me vizionin dhe investimin e tij të vazhdueshëm, z Lulaj ka arritur të rikthejë gjimnastikën shqiptare në skenën ndërkombëtare dhe t’i japë dinjitet e krenari flamurit kuqezi.
Delegacioni shqiptar, i cili mori pjesë për herë të parë në këtë aktivitet madhor të organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës, u shoqërua nga Sekretarja e Përgjithshme e Federatës, znj Eliriana Karaj. Pjesëmarrja dhe vlerësimi i lartë që ekipi shqiptar mori nga publiku dhe juria ndërkombëtare, janë tregues i nivelit gjithnjë në rritje të gjimnastikës sonë dhe një hap i rëndësishëm drejt objektivave më të mëdha në të ardhmen.
Ekipi ynë përfaqësohej nga gjimnaste të moshave të ndryshe nga 7 deri 12 vjeç, pjesë e shoqatave dhe akademive të gjimnastikës, në Berat, Shkodër, Lushnjë dhe Tiranë. Ka qenë pikërisht vullneti dhe përkushtimi i trajnerëve të këtyre ekipeve, të cilët kanë mundur ti japin një tjetër shtysë gjimnastikës në Shqipëri, duke krijuar një plejadë gjimnastësh që japin siguri për të ardhmen e afërt të këtij sporti.
Ky rezultat vjen si fryt i një pune ekipore, por veçanërisht si një reflektim i udhëheqjes së drejtë dhe strategjike të Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, në kuadër të misionit për ta bërë sportin e gjimnastikës të aksesueshëm, cilësor dhe krenar për çdo shqiptar.

Advertisement