Shkrime
Shko Hashim, Haga është për ty/ Kurti dhe rishkrimi i historisë
Hera e fundit kur Albin Kurti do ta ndante Hashim Thaçin nga shokët e luftës ishte kur I thirrte “Shko Hashim”. Tani, Albin Kurti e njeh kundërshtarin e tij më të madh si “figurë historike” dhe do pafajësinë e tij, pasi druhet se përmes Gjykatës Speciale, që po e gjykon Thaçin dhe shokët e tij, mund të “rishkruhet historia”, në dëm të Kosovës.
“Ata janë heronjtë kombëtarë të Kosovës – tani po akuzohen për krime lufte”, është titulli i një artikulli të shkruar nga gazetari britanik, Matthew Campbell, të cilin e ka shpërndarë edhe Kryeministri Albin Kurti, në profilin e vet. Në artikull ishte cituar edhe një pjesë nga biseda e tij me gazetarin, për Gjykatën Speciale.
Shkrimi flet për gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë, nën akuzat për krime lufte.
Brenda artikullit, Kurti citohet se ka thënë se është i shqetësuar që Gjykata Speciale mund ta ndihmojë Serbinë te “rishkruajë historinë”. Për mundësinë e “rishkrimit të historisë” nga gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, kishte shkruar gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” një javë më parë.
Kryeministri Albin Kurti i ka kujtuar gazetarit britanik se ai dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, kanë qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, themelimi i së cilës u votua në Kuvendin e Kosovës, në gusht të 2015-s.
Por, ajo që ka ndryshuar tani te Kurti si Kryeministër është qëndrimi ndaj kundërshtarit të madh të tij, ish-Presidentit Hashim Thaci, pas nje konfrontimi te gjate me te në Kuvend, ndër të tjera, edhe për Gjykatën Speciale.
Mbahet mend një adresim publik që Kurti i ka bërë Thaçit në vitin 2019, që niste me thirrjen përsëritëse “Shko Hashim”, teksa e ftonte kete te fundit, ate kohe president, të dorëzohej në Hagë.
Gjithashtu kreu i Vetevendosjes i përshkruante Thaçit burgun e Hagës, duke i thënë se nuk është tragjedi qëndrimi në të.
“Burgu nuk është fatalitet. Sidomos ky i Hagës. Besoj që Ramushi, Fatmiri e Batoni të kanë treguar: aty ka televizor, ushqim të mirë tre herë në ditë, salla për rekreacion dhe libra të panumërt. Nuk të ndodh asgjë e keqe atje, përveç faktit që do të kesh kohë të përballesh me ndërgjegjen tënde, të cilën kushedi sa vite ka që nuk e takon më. Shko Hashim”, shkruante atë kohë jo pa cinizem Albin Kurti.
Gjithashtu Kurti atëherë i thoshte Thaçit “mos mendo ta japësh veriun si kapar apo të na bosnjëzosh me ‘Zajednicë’ për ta shpëtuar veten.”
Kaloi një vit nga ky adresim dhe Thaçi shkoi në Hagë, për të qëndruar gati tri vjet në paraburgim, teksa tani Kurti ka nisur ta njohë atë si figurë “historike”.
Qasja e Kurtit ndaj kundërshtarit të tij të madh politik është zbutur, por jo aq sa ta vizitojë në burg atë dhe të tjerët. Kur është pyetur për arsyen se perse nuk i viziton ne Hage, Kurti njëherë tha se nuk beson se mund t’i ndihmojë duke i takuar ata, e më pas tha se nuk shkon edhe se nuk e njeh Gjykatën Speciale si institucion, e i duhet “të nënshkruajë shumë dokumente”.
Pak ditë pasi foli për përkrahjen e të gjithë krerëve të UÇK-së që janë në Hagë, përfshirë dhe Thaçin, LV-ja doli në përkrahje të marshit në mbrojtje të UÇK-së, por nuk mori pjesë në të.
Dy ditë pasi nisi gjykimi ndaj ish-krerëve, në mungesë të një deklarimi, Kurti u pyet nga gazetarët për një komenti rreth gjyqit. Ai tha se i duhej të largohej dhe se nuk kishte kohë të fliste.