Connect with us

Kronike

Shpërthim me eksploziv pranë banesës së deputetit të PD, Xhelal Mziut

Një shpërthim ka ndodhur gjatë natës në qytetin e Kamzës. Policia njofton se rreth orës 00:55, në rrugën “Arjan Sala”, në murin rrethues të banesës së shtetasit Xh. M., është vendosur një sasi e dyshuar lënde plasëse.

Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, ndërsa janë regjistruar vetëm dëme materiale.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, i cili po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Lajmi i perditesuar

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka dhënë dëshminë e tij për hetuesit në lidhje me shpërthimin e ndodhur pas mesnatës në banesën e tij në Kamëz. 

Sipas burimeve nga grupi hetimor, Mziu është shprehur se nuk ka asnjë konflikt personal dhe nuk dyshon tek asnjë person konkret që mund të qëndrojë pas ngjarjes. 

Në momentin e shpërthimit, në banesë ndodhej vetëm deputeti dhe bashkëshortja e tij. Për fat të mirë, askush nuk është lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale. 

Nga hetimet paraprake të policisë, dyshohet se ngjarja është një mesazh, pasi sasia e lëndës plasëse ka qenë relativisht e vogël dhe është vendosur në pjesën e sipërme të murit rrethues të banesës. 

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e autorëve dhe po analizohen të gjitha pistat. Deri tani nuk ka persona të ndaluar. Autoritetet janë duke shqyrtuar pamje nga kamerat e sigurisë si dhe po marrin dëshmi nga banorët e zonës për çdo lëvizje të dyshimtë para apo pas shpërthimit. 

Advertisement