Politike
“Shqipëria Bëhet” mbështet kandidaturën e Florjan Binajt për Bashkinë e Tiranës
Partia “Shqipëria Bëhet” ka shpallur mbështetjen e saj për kandidaturën e aktorit dhe aktivistit Florjan Binaj në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen më 9 nëntor në Tiranë.
Kryetari i kësaj lëvizjeje, Adriatik Lapaj, e bëri publik vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se kandidatura për kryebashkiakun e ri të kryeqytetit duhet të vijë nga qytetarët e angazhuar, e jo si produkt i marrëveshjeve politike.
“Dy ditë më parë propozuam që kandidatët për këto zgjedhje, për shkak të situatës së jashtëzakonshme, duhet të vinin nga radhët e qytetarëve të angazhuar dhe jo nga marrëveshjet e partive politike. Deklaruam se do të mbështesnim një prej kandidatëve të pavarur që do të shpallnin kandidimin. Duke shprehur vlerësimin për të gjithë ata që janë deklaruar, kryesia e Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ ka vendosur që në Bashkinë Tiranë të mbështesë kandidatin e pavarur Florjan Binaj”, shkruan Lapaj.