Politike
Shqipëria hap sot negociatat për grup-kapitullin e parë
Luksemburg- Tashmë kryeministri Edi Rama dhe delegacioni ndodhen në Luksemburg ku Shqipëria çel negociatat për e grup kapitullit e parë.
Dita e sotme, 15 Tetor, pritet të shënjojë një hap historik për vendin tonë, përsa i takon rrugëtimit në Bashkimin Europian. Shqipëria do të hapë negociatat me BE, për grup-kapitullin e parë. Në takimin që do mbahet në Luksemburg, do jetë i pranishëm edhe vetë kreu i qeverisë Edi Rama, bashkë me ekipin që do përfaqësojë Shqipërinë.
Takimi do të nisë në orën 08:00 dhe do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, vend i cili mban Presidencën e radhës së BE-së. Pas takimit rreth orës 09:25 pritet një konferencë për shtyp e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó.
Shqipëria do të përfaqësohet në këtë konferencë nga Kryeministri Edi Rama, Kryenegociatorja Majlina Dhuka si dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Në tryezë për palët shqiptare do të jenë dhe të gjithë zv/ministrat, të cilët përfaqësojnë sektorët e kapitujve të negocimit që do të hapen ditën e nesërme, te njohura si “Themeloret”.
Takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për grupkapitullin 1, një ndër më të rëndësishmit, pasi prek fusha thelbësore, siç janë; drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik apo reforma e administratës publike. Në këtë grup, siç quhet ndryshe edhe ‘bazat’ ose ‘themeloret’, përfshin edhe prokurimet publike, statistikat dhe kontrollin financiar.
Ky grup-kapitull hapet i pari dhe mbyllet në fund të procesit të integrimit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. Ndërkohë, dita e sotme shënon edhe mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare BE-Shqipëri.
Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi kandidatit për në BE në qershor 2014. BE mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë në korrik 2022. Ndërkohë dje (14 Tetor) u firmosën edhe 2 marrëveshje të 6 liderëve të Ballkanit Perëndimor me BE për Procesin e Berlinit, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama