Aktualitet
Shqipëria merr parafinancimet nga BE-ja, Kos bën thirrje të përdoren për reformat kyçe

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka njoftuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë bërë përfitueset e para të parafinancimeve nga plani i rritjes së BE-së në rajon.
Këtë e bën me dije vetë Kos, përmes një publikimi në median sociale X, ku shkruan se Tirana dhe Shkupi kanë bërë progres në zbatimin e reformave kyçe, duke bërë që vendet përfitojnë fonde nga Plani i Rritjes.
Fondi pritet të miratohet nesër për Shqipërinë.
“Urime Maqedonisë Së Veriut dhe Shqipërisë për përshpejtimin e procesit në marrjen e fondeve të parafinancimit në Ballkanin Perëndimor në kuadër të Planit të Rritjes. Kjo duhet të nxisë zbatimin e reformave kyçe për të nxitur rritjen, për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për të afruar vendet më pranë BE-së”, shkruan Kos në X.
Ky lajm pason vizitën e Kos në Shqipëri më 13-14 mars.
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e ka quajtur Shqipërinë një ishull stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe mbi të gjitha një kampione të bashkëpunimit rajonal.
Kështu tha ajo gjatë një konference për shtyp me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, teksa e përmendi për mirë vendin si një shembull të mirëfilltë të bashkëpunimit dhe të linjëzimit të plotë me politikat evropiane.
Ajo e vlerësoi hovin shqiptar për të mbyllur negociatat brenda vitit 2027 dhe këtë e reflekton edhe puna që Shqipëria ka bërë së fundmi për grupkapitujt negociues.
Asaj i kanë lënë mbresa të vërteta angazhimet shqiptare në rastin e mikpritjes jo vetëm në termat e mikpritjes si e tillë, por edhe për institucione si kampusi i Kolegjit Evropian, apo një zyrë e Parlamentit Evropian për rajonin, e cila do të hapet në Shqipëri.
Fillimi dhe përshpejtimi i reformave ndërkaq mbetet kyçe sipas Kos, duke veçuar Reformën në Drejtësi, për të cilën tha se e mbështet plotësisht. Një reformë, e cila është guri i themelit për të hyrë në BE.
Komisionerja e lartë e BE-së e tha qartësisht se ajo është e sigurt se me reformat që po kryen Shqipëria, anëtarësimi i shpejtë do të jetë i mundur dhe theksoi se Evropa e do Shqipërinë në Bashkimin Evropian.
“Me ju brenda, Evropa do të jetë më e fortë”, shtoi Kos.
Më tej, ajo shpjegoi edhe detyrën e saj si Komisionere.
“Detyra ime është të marrë masa për faktin që Shqipëria të njihet si anëtare e BE-së. Kështu që në këtë aspekt e kemi një plan për zgjerimin. Ne do të organizojmë një fushatë, ftoj gazetarët sa më shumë të vinë në Shqipëri dhe të shohin çfarë ndodh në Shqipëria. Na ndihmon që Shqipëria të njihet edhe më shumë në shtetet e anëtare që të përmbyllet në 2027”.
Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka quajtur një ambicie personale të tijën dhe të Qeverisë shqiptare, arritjen e marrjes së pasaportës së Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade.

