Politike
Shqipëria mund të hapë grupkapitullin e fundit të negociatave më 17 nëntor
Qeveria e Holandës i ka dërguar një raport zyrtar parlamentit vendas, në të cilin rekomandon hapjen e Klasterit 5 në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në dokumentin zyrtar të titulluar “Geannoteerde agenda Raad Algemene Zaken” (Agjenda e shënuar e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme), qeveria holandeze konfirmon se në margjinat e mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (RAZ) pritet të zhvillohet një Konferencë Ndërqeveritare (IGC) me Shqipërinë, ku do të hapet Klasteri 5 – “Burime, bujqësi dhe kohezion”.
Sipas raportit, Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e Klasterit, duke theksuar se nuk ka kushte paraprake (opening benchmarks) që Shqipëria duhet të përmbushë para hapjes.
Qeveria holandeze thekson se nuk do të bëjë asnjë lëshim mbi kriteret e Kopenhagës, dhe se “reformat në fushën e mirëqeverisjes, transparencës dhe shtetit të së drejtës mbeten thelbësore”.
Në dokument theksohet gjithashtu se në Këshillin e BE-së “ekziston mbështetje e gjerë për të bërë këtë hap”.
Një burim i BE-së ka konfirmuar për Albanian Post se ende nuk ka një konfirmim zyrtar për mbajtjen e konferencës, pasi ajo “do të mund të përcaktohet vetëm pas miratimit të Qëndrimit të Përbashkët të BE-së (EUCP)” në mbledhjen e ardhshme të COREPER-it, organi që përgatit vendimet e Këshillit të BE-së.
“Po, kjo është e vërtetë. Megjithatë, duhet pasur parasysh se ende nuk është konfirmim zyrtar. Siç është shpjeguar më parë, konfirmimi do të vijë vetëm pas miratimit të EUCP-së në mbledhjen e ardhshme të COREPER-it”, tha zyrtari evropian.