Aktualitet
Shqipëria udhëheq renditjen globale të rritjes turistike për vitin 2024

Shqipëria është kthyer në një ndër vendmbërritjet më të preferuara të turistëve në Evropë, por edhe nga e mbarë bota dhe këtë fluks të shtuar e vërteton edhe fakti se për vitin 2024, Shqipëria udhëheq renditjen botërore të rritjes turistike.
Lista është e shpallur nga Agjencia e Turizmit në Kombet e Bashkuara, e cila reflekton se si në nivel kontinental, ashtu edhe botëror, Shqipëria e sheh veten si shteti me rritjen më të madhe.
Lajmi është shpërndarë edhe nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri.
Sipas të dhënave, Shqipëria, me një rritje turistike 80% krahasuar me vitin parapandemik 2019, është vendi i radhitur më lart në botë dhe ndiqet vetëm nga Arabia Saudike me 69%.
Më poshtë radhiten vende si Kolumbia, Maroku, apo Republika Domenikane, të cilat kanë bërë shumë mirë me turizmin gjatë vitit 2024. Por, rritja e tyre nuk krahasohet me atë të Shqipërisë.
Në rrafshin evropian ndërkaq, Shqipëria nuk njeh asnjë rivale, me ndjekësen më të afërt që është Andorra, e cila ka parë rritje me 35% të turizmit. Pas më tej shkojnë Malta dhe Serbia me 29%, Luksemburgu me 24% dhe Lihtensteini me 20%.
Në vitin 2024, turizmi pothuajse është kthyer në nivelet para pandemisë, me 1.4 miliardë turistë që udhëtojnë në mbarë botën.
Evropa vazhdon të jetë rajoni më i popullarizuar në mesin e udhëtarëve, duke pritur 747 milionë ardhje ndërkombëtare, siç raportohet nga barometri i OKB-së.
Veçanërisht turizmi shqiptar ka shënuar një rritje të dukshme prej 80 për qind krahasuar me vitin 2019, duke tërhequr një numër në rritje të udhëtarëve të huaj.
Shqipëria ka përjetuar rritje të ndjeshme të turizmit gjatë viteve të fundit.
Sipas shifrave, vendi mirëpriti 7.5 milionë turistë ndërkombëtarë në vitin 2022, që u rrit me rreth 30 për qind në 10.1 milionë në vitin 2023.
Shqipëria është bërë e njohur në Evropë, pasi shumë linja ajrore dhe operatorë turistikë e kanë shtuar atë në programet e tyre të udhëtimit. .
Vendi konsiderohet një alternativë e përballueshme për destinacionet e njohura të udhëtimit si Greqia.
Ajo ofron atraksione të ndryshme, nga plazhet piktoreske të Ksamilit deri te vendet kulturore në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Alpet veriore shqiptare ofrojnë mundësi për ecje aventureske, ndërsa kryeqyteti, Tirana, befason vizitorët me përzierjen e arkitekturës së epokës komuniste dhe elementeve moderne.
Kjo rritje e turizmit shqiptar ka sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për vendin.
Barometri raporton se rritja ekonomike prej pesë për qind e vendit në vitin 2022 është e lidhur ngushtë me të ardhurat e konsiderueshme nga sektori i turizmit.
Rritja shpesh sjell sfida.
Ekspertët vënë në dukje disa çështje për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit shqiptar, duke përfshirë rrugët e dobëta në zonat e thella, mungesën e lidhjeve hekurudhore dhe problemet mjedisore që rrjedhin nga turizmi masiv.
Mbiturizmi, në veçanti, është bërë një çështje e përhapur në shumë vende gjatë vitit të kaluar, duke ngritur shqetësime për ruajtjen e natyrës në Shqipëri.
Megjithatë, siç tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përfitimet ekonomike të një numri në rritje të turistëve të huaj janë tepër joshëse për t’u injoruar.

