Aktualitet
Shqiptarët ‘djegin’ 200 mijë euro në ditë për cigare
Sipas një vëzhgimi të kryer për kostot ekonomike të duhanit, shqiptarët shpenzojnë 570 milionë euro në vit për konsum duhani, e cila përbën 3.7 përqind të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto në vend.
Në një bisedë, gazetari i SCAN TV Roel Korkuti, i cili ka kryer vëzhgimin theksoi që më e rëndësishme se kosto ekonomike, është kosto e shëndetit, por gjithsesi janë domethënëse shumat e mëdha që shqiptarët harxhojnë për të konsumuar duhan.
Kështu sipas përllogaritjeve ekonomike shqiptarët konsumojnë rreth 249 milionë paketa në vit, ose shpenzojnë 200 mijë euro në ditë për konsum cigareje. Nga ana shëndetësore, vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë ka llogaritur që një fije cigare shkurton jetën me 11 minuta, dhe në rastin e Shqipërisë janë 95 mijë vite jetë të humbura në një vit.
Megjithëse edhe për shkak të kulturës, janë meshkujt ata që shpenzojnë më shumë për duhan, është rreth 35përqind e popullsisë adulte e cila konsumon rregullisht duhanin ndërkohë që mesatarja kudo nëpër botë është 12 përqind.
Sipas gazetarit Korkuti, Shqipëria është ndër vendet e para që konsumojnë më shumë duhan, dhe është gjithashtu ndër vendet e para në rajonin e Ballkanit. Për të dekurajuar këtë trend, duhet të rritet akciza e duhanit, të rritet çmimi në mënyrë që të konsumohet më pak.