Kronike
Shqiptarët “i futen” punës

Mungesa e fuqisë punëtore, si pasojë e ritmeve të larta të emigracionit, po nxit pjesën joaktive të shoqërisë të marrë pjesë në tregun e punës.
Sipas të dhënave të INSTAT, më shumë se 70 mijë persona që më parë nuk ishin duke kërkuar punë, pasi besonin se nuk ka një të tillë, tani janë ofruar në forcën e punës.
Në tremujorin e tretë 2021, numri i personave joaktivë në tregun e punës në moshën 15 vjeç e lart ishte mbi 932 mijë persona, ndërsa në tremujorin e tretë 2022 arriti në 859 mijë.
Në tremujorin e tretë 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 73,4%, nga 70% që ishte vitin e kaluar në këtë periudhë.
Pjesëmarrja në forcën e punës ka arritur në rekorde historike, ndërkohë që gjithnjë e më shumë pensionistë kërkojnë të punojnë dhe një shumicë e tyre raportohen si të punësuar.
Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, 16,8% e popullsisë ekonomikisht joaktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 7,6 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 12,4 % në paaftësi të përhershme.
Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 66,7% të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht joaktivë, 6,5% klasifikohen si të papunë të dekurajuar.
Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 12,2% të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe.
Që nga pandemia, Shqipëria ka humbur një mesatare prej 20,000 banorë në vit dhe tendenca ka të ngjarë të vazhdojë, raporton Fondi. Një fuqi punëtore në plakje ul produktivitetin e punës dhe kjo ndikon negativisht në rritjen ekonomike.

