Kosova
Shtatori i shpresës/ Ristartimi i dialogut dhe çfarë thonë në Bruksel
Me shpërthimin e tensioneve në muajin maj në veri të Kosovës për shkak të vendosjes së kryetarëve të zgjedhur shqiptarë në katër komunat veriore, Bashkimi Europian nuk ka mundur t’i vë përballë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçic. Tentativa e fundit ishte në fund të qershorit kur të dy liderët fqinjë shkuan në Bruksel, por nuk mbajtën takim trilateral, përveç atyre me ndërmjetësit. Për këtë, rrjedha e dialogut Kosovë-Serbi u ndryshua me tensionimin e situatës për t’u përqendruar në shtensionimin e saj.
Aktualisht, Bashkimi Europian ende nuk ka një datë të caktuar se kur do të organizohet takimi i radhës në Bruksel, por zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se do të njoftojnë me kohë.
Pas një marrëveshje që arriti me BE-në në Bratislavë për hapat që duhet të ndiqen për rivendosjen e qetësisë në veri të vendit, Kosova është duke zbatuar pikat për të cilat ra dakord atje.
Sidoqoftë, Kurti dhe Vuçic u panë pak gjatë një darke të përbashkët në Athinë ku u ftuan nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, mes shumë liderëve tjerë rajonalë e europianë.Në këtë tavolinë, ndonëse nuk folën direkt, Kurti ia dha mesazhin Vuçiqit indirekt.
Një afat të përafërt se kur mund të organizohet takimi i ri Kurti-Vuçiq e pati dhënë ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guérot. Në një intervistë ai tha se një takim i tillë pritet të ndodhë në fillim të shtatorit. Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Chris Hill, paralajmëroi se në shtator do të bëhen përpjekje të reja për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës. Le të presim shtatorin, edhe pse shpresat duken në agoni…