Kosova
Shtet serb brenda Kosovës/ Kulla: Përdorimi i Asociacionit…
Eksperti shqiptar i çështjeve të sigurisë, Ilir Kulla, kritikoi Bashkimin Evropian për mungesë konsensusi ndaj Serbisë dhe I konsideroi absurde masat ndaj Kosovës, pasi tha se Serbia është kërcënimi real për gjithë rajonin e Ballkanit, e lëre më për Kosovën. Sipas Kullës, është Serbia ajo që po e përdorë Asociacionin për të bërë një shtet serb brenda Kosovës, ndërkohë që nuk ofron njohjen. Eksperti i sigurisë foli edhe për interesin e Rusisë për të destabilizuar Ballkanin, teksa shtoi se është presidenti serb, Aleksandër Vuçic, ai që qëndron prapa agresionit ndaj Kosovës. “Asociacioni ka vetëm një formulë, ‘asociacion kundër njohjes’. Pra në momentin që më jep njohjen unë të jap asociacionin. Përderisa nuk më jep njohjen dhe përdor asociacionin për të krijuar një shtet serb në Kosovë, nuk ka arsye pse të ekzistoj ky Asociacion” – theksoi Kulla. Duke folur për agresionin e Serbisë ndaj Kosovës, ku më 24 shtator mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë, eksperti i sigurisë tha se ekziston rreziku që serbët të përdorin enklavat për t’u viktimizuar si në rastin “Panda”, në Pejë. Kulla gjithashtu komentoi edhe arrestimin dhe lirimin e të sanksionuarit të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe, Milan Radojicic nga Serbia, i cili ka pranuar se qëndron prapa grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë. Sipas tij, kjo tregon nuk interesin e Serbisë për të destabilizuar Ballkanin, teksa vë në pa edhe veprimtarinë e Listës Serbe. Përsa i përket tolerancës së ndërkombëtarëve ndaj Serbisë, eksperti shqiptar tha se kjo vjen si rezultat i frikës që Serbia do të afrohet edhe më shumë me Rusinë. Sipas Ilir Kullës, për Kosovën është e rëndësishme të vazhdojë me njohjet e reja dhe që të mos mungojë vullneti politik për propozime konkrete në çështjet e rëndësishme për vendin.