Ekonomi
Shtetet po grumbullojnë nivele rekord borxhi mes COVID-19
- Shumë ekspertë argumentojnë se ky është një mjet i shëndoshë për të financuar rimëkëmbjen.
- Një huamarrje e tillë është mundësuar dhe nxitur që nga kriza financiare për shkak të përpjekjeve të Bankës Qendrore.
Teksa borxhi publik në SHBA kohët e fundit arriti një kulm që nuk ishte parë që nga Lufta e Dytë Botërore, ndodhi diçka vërtet qesharake: publikut nuk iu bë shumë vonë për këtë, shkruan Forumi Ekonomik Global.
Barra e borxhit në SHBA ka vazhduar të rritet, duke tejkaluar madhësinë e ekonomisë së vendit, ndërkohë që merren masa për të zbutur ndikimin e COVID-19. Shtetet e Bashkuara nuk janë të vetme – qeveritë në të gjithë botën kanë marrë hua shuma të mëdha ndërsa përpiqen të luftojnë pandeminë. Megjithëse kjo nuk është për t’u habitur, është i çuditshëm reagimi relativisht i qetë i ekspertëve konservatorë.
Pandemia duket se po ndryshon edhe më shumë mënyrën sesi njerëzit e konceptojnë borxhin e madh publik. Ata që dikur mund të jenë shqetësuar nga ideja, tani duket se nuk e kanë problem, për sa kohë që paratë vihen në përdorim të mirë dhe interesi mbetet relativisht i ulët.
Pra, edhe teksa shtete si Britania e Madhe regjistrojnë nivele rekord borxhi, disa si Afrika e Jugut duhet të vendosin ngrirjen e pagave në sektorin publik, çka rrezikon trazira, dhe raporti i borxhit publik ndaj PBB-së pritet të arrijë nivelin 140% në ekonomitë e zhvilluara, gjithsesi, shumë ekspertë kanë të njëjtin rekomandim: vazhdoni të merrni hua.
Jo shumë kohë më parë, u pranua gjerësisht ideja se ngarkesa e borxhit publik të një vendi, duhet të mbetet shumë më e vogël se madhësia e ekonomisë së tij. Në SHBA, borxhi publik arriti në rreth 60% të PBB-së në prag të krizës financiare globale, pak më shumë se një dekadë më parë, dhe traktati themelues i Bashkimit Europian e përcaktoi kufirin e borxhit publik në 60% të PBB-së. Por, ashtu si shumë gjëra të tjera, pandemia e ka hequr të paktën përkohësisht këtë udhëzim të BE-së, ndërkohë që politikanët përpiqen të mbështesin ekonomitë.
Në disa mënyra, gatishmëria për të rritur huamarrjen, është rezultat i një truku të përhapur që nga kriza financiare. Ashtu siç bënë atëherë, bankat qendrore thjesht kanë shtypur paratë e kërkuara për të blerë shuma masive borxhi qeveritar dhe për të injektuar likuiditet në ekonomi. Duhet të zgjeroni deficitin tuaj për të financuar lehtësimin ndaj COVID-19? Mjafton të “shtypni ato dreq parash”, siç u shpreh një ekonomist.
Para se të përhapej COVID-19, shumë ekspertë po kritikonin maninë për frenimin e borxhit publik, duke e quajtur “marrëzi”, dhe duke vënë në dukje se borxhi i ngritur për të mposhtur nazistët në Luftën e Dytë Botërore – një shpenzim i justifikuar gjatë një krize – nuk ishte paguar ende.
Sidoqoftë, nivelet në rritje të borxhit rrezikojnë të përhapin frikën për një falimentim apo rrënim të mundshëm. Dhe strategjia e të pasurit në dispozicion një bankë qendrore, e cila shtyp para për shpenzimet publike, ka nxitur paralajmërime për inflacion. Këtu përmendet shpesh si shembull Gjermania, pas Luftës së Parë Botërore, ku hiperinflacioni ishte aq i keq, saqë kamerierët duhej të ndryshonin çmimet e menuve çdo gjysmë ore. Megjithatë, frika e inflacionit nuk duket se ka pasur shumë ndikim.
Qeveritë kanë marrë hua nga një gamë e gjerë investitorësh, përfshirë fondet e pensioneve, por bankat qendrore kanë qenë disa nga mbështetësit e tyre më të besueshëm. Rezerva Federale e SHBA-së ka blerë 80 miliardë dollarë në muaj në letra me vlerë.
Sigurisht, nivelet rekord të borxhit publik pritet të krijojnë sfida financiare në shumë pjesë të botës. Vendet në zhvillim, për shembull, mund të mos jenë në gjendje të shfrytëzojnë të njëjtat burime si shtetet më të pasura – dhe ka të ngjarë të mbeten në detyrime borxhesh me vlerë disa miliarda dollarë.
Si po reagohet në disa vende:
- Koreja e Jugut kohët e fundit publikoi një plan për të kufizuar ligjërisht borxhin publik në sajë të kritikave nga konservatorët. Por, sipas këtij raporti, ekzistojnë gjithashtu shqetësime se mos nuk shpenzohet sa duhet për të luftuar pandeminë dhe pyetje në lidhje me faktin se sa urgjente është nevoja për një kufi të tillë.
- Një profesor i ekonomisë i LSE beson se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mund të jetë duke bërë një gabim të madh duke lënë që reagimi i saj ndaj pandemisë të ndikohet nga shqetësimet e deficitit rezultues dhe pasojat e tij në të ardhmen.
- Sipas një analize të ‘Project Syndicate’, një krizë globale borxhi nuk është e afërt. Ndërsa vëzhguesit e tregut kanë arsye të mira për të dhënë alarmin në lidhje me rritjen e përdorimit të borxhit për investime në të gjithë botën, ai duhet të sheshohet rreth vitit 2023 – megjithëse kjo varet nga faktorë si një vaksinë kundër COVID-19, që pritet të jetë e disponueshme gjerësisht nga mesi i vitit 2021.
“The New Humanitarian” shkruan se kombet me të ardhura të ulëta duhej të dërgonin të paktën 40 miliardë dollarë në bankat huadhënëse dhe zotëruesit e obligacioneve këtë vit dhe planet për t’i pezulluar këto pagesa interesi – e aq më pak për t’i anuluar – janë tani të vogla, sipas këtij raporti.
Ekonomistët mund të mos jenë të shqetësuar nga huazimet e mëdha të qeverisë kur ekonomia amerikane është në rrezik, por sipas një raporti të ”Christian Science Monitor”, ligjvënësit republikanë kanë filluar të bezdisen nga kostot e mëdha për luftimin e pandemisë.
Monitor/