Connect with us

Shkrime

Shteti i Kosovës dhe një paralele me Odisenë dhe Penelopën e Itakës

Nga Prof.Dr. Enver Bytyçi

Odiseja ishte mbreti i Itakës. Ai mori pjesë në Luftën e Trojës dhe sipas legjendës iu deshën dhjetë vite që të rikthehej në Itakë. Djali i tij, Telemaku, u vu në kërkim të të atit. Ndërsa e shoqja, Penelopa, e priti deri në fund, pavarësisht se të gjithë princat e kohës që donin ta zëvendësonin Odisenë, teksa i thonin se i shoqi kishte vdekur. Në pritje të bashkëshortit, ditën bënte sixhade dhe natën e zhbënte atë.

Pse po e përmend këtë fakt mitologjik? Sepse shoh një paralele me Kosovën e sotme. Ndërsa Penelopa e Odisesë punonte ditën dhe e zhbënte natën në pritje të të shoqit, ka disa politikanë në Kosovë, Shqipëri, Maedoninë Veriore, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, të cilët bëjnë të njëjtën gjë si Penelopa. Por me një ndryshim: – Penelopa e bënte prishjen e sixhades natën e në fshehtësi, politikanët tanë që duket sikur ditën punojnë për Kosovën, në mbrëmje dalin e thonë se “Kosova si shtet nuk ekziston”, pra është e zhbërë, dhe nuk ngurojnë që t’i bien gjoksit!

Deklarata e Liburn Aliut ishte vetëm njëra prej kësaj që konstatoj. Ka edhe raste të tjera, kur politikanë në pushtet ose në opozitë dalin dhe thonë se “Shteti i Kosovës është i përkohshëm” E tha në vitin 2014 Edi Rama në parlamentin e Kosovës kur kërkoi një president të përbashkët. E kanë thënë dhe politikanë në opozitë. E thoshte dhe Berisha në vitin e jubileut të 100 vjetorit të pavarësisë.

Disa e thonë se ndjejnë që duhet të bashkohemi. Disa të tjerë se duan të përfitojnë kapital politik e elektoral. Dhe një kategori tjetër e përdorin tezën e bashkimit kombëtar për llogari anti-shqiptare. Megjithatë dëmin e bëjnë njësoj të gjithë.

Së pari, asnjë parti politike apo institucion shtetëror, ushtarak, akademik ose religjioz në hapësirën shqiptare nuk ka hartuar kurrë një strategji kombëtare të bashkimit kombëtar. Gjithçka thuhet dhe artikulohet sipas mendjeve individuale për qëllime të caktuara. Ne kemi që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit që flasim për bashkim kombëtar, për shtet kombëtar të plotë. E ndërkohë kurrë nuk arritëm të bëhemi bashkë qoftë dhe përkohësisht për të arritur qëllime të përbashkëta kombëtare.

Gjithmonë kemi bërë rolin e Penelopës në pritje të Odisesë. Por Odiseja i Penelopës pas dhjetë vitesh erdhi në Itakë, ndërsa ky bashkimi ynë kombëtar vazhdon të instrumentilizohet me shume se një shekull, herë në shërbim të politikave ditore e elektorale e herë tjetër fatkeqësisht edhe në funksion të interesave të Serbisë.

Nëse bashkimi kombëtar bëhet për egon e disa politikanëve, ai do të dështojë. Bashkimi vjen natyrshëm. Por në këtë rast Kosova ka nevojë të konfirmohet si shtet demokratik dhe i së drejtës para opinionit ndërkombëtar dhe kësisoj të imponohet për tu njohur në kufijtë aktualë. Në vend që të gjitha energjitë të shkojnë në këtë drejtim, dikush dëshiron të devijojë politikat dhe të shkatërrojë atë që me shumë sakrifica është ndërtuar.

Ndërkaq për çdo projekt, madje shumë të thjeshtë, jo më për një projekt si ky, analizohen rrethanat, kushtet, situata ndërkombëtare, interesat, aktorët, faktorët, simpatitë dhe antipatitë, deri te çështjet socio-psikologjike. Askush nuk e ka bërë një studim të tillë. Pavarësisht kësaj shpallen sllogane e parulla jo racionale. Ku shkojmë kështu si delet pa bari?!

Është e turpshme sidomos për mendjet akademike dhe politikanët të gënjesh njerëzit e thjeshtë, qoftë dhe duke u nisur nga qëllimi i mirë. Pa marrë parasysh pasojat e dëmshme që u krijohen vendit dhe qytetarëve!

Advertisement