Shkrime
Shteti privat i Zvërnecit dhe shteti i munguar në Davos
Parantezë: Trump nuk lejon dhe nuk ndalon lëvizjet private të vajzës së tij. Amerika nuk funksionon si oborr sulltani.
Ivanka Trump dhe Jared Kushner nuk janë shteti amerikan. Ata janë aktorë privatë të kapitalit global. Çfarë bëjnë ata në Shqipëri nuk përfaqëson politikën e SHBA-së, as qëndrimin e saj strategjik ndaj qeverisë shqiptare. Amerika si shtet flet përmes institucioneve, deklaratave zyrtare, marrëveshjeve. Kushner si biznesmen është administrator i Affinity Partners që ka siguruar investime nga fondet sovrane të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Si bashkëshorti i Ivankës është dhëndri i Donald Trump.
Si këshilltar jo formal i Presidentit Amerikan është ndërmjetës në negociatat diplomatike mbi konfliktin izraelito-palestinez dhe atë ruso-ukrainas.
Por Kushner gjithë ditën ka qenë në Davos, ku vjehrri dhe eprori i tij mbajti një fjalim që ende le të hutuar Europën e të tulatura tregjet. Në të njëjtin fjalim ku e saktësoi adresën e dhëndrit të tij.
E bija, po! Ndodhej në Shqipëri. Si business woman me një ekip arkitektësh për të parë nga afër zona të vlefshme për investime të mëdha që mbështeten nga fonde të Lindjes së Mesme.
Investimet e gjermësotshme që kanë ardhur në Shqipëri janë resorte luksoze të gardhuara, territore të mbyllura, projekte që nuk kanë nevojë për drejtësi funksionale, shoqëri aktive apo institucione të forta. Këto investime lulëzojnë zakonisht në fund të cikleve politike, kur pushteti ka nevojë urgjente të monetizojë çdo centimetër autoriteti të mbetur.
Për këto lloj investimesh nuk lipset një kryeministër shteti funksional, por një broker i dobishëm për kapitalin oportun.
Kapitali oportun nuk ka projekt politik.
Nuk ofron besnikëri. Kapitali oportun nuk i shpëton pushtetet kur legjitimiteti i brendshëm bie, kur kostoja reputacionale rritet dhe sistemi hyn në fazë të paqëndrueshme.
Ben Ali, Mubarak, Yanukovych, Gaddafi, të gjithë ishin “të dobishëm” për kapitalin deri ditën që nuk ishin më të sigurt. Të gjithë u dukën të pranuar deri në ditën që u braktisën.
Askush nuk mban në pushtet një broker me çdo kusht.
Brokerët përdoren, mandej hidhen.
Fakti që Rama sot nuk qe në Davos, por bënte regjisorin e show-t nga Zvërneci është shenjë se pushteti i tij ka kaluar nga qeverisje në komision, se ky është një pushtet që nuk prodhon më projekt ekonomik e shoqëror, por vetëm ambiente për t’u shitur.
Se çfarë ofron ky territor nga dielli e uji, toka e ajri e dimë dhe janë krejt të palidhura me aftësinë, aleancat strategjike, apo peshën gjeopolitike të një lideri që ka në dorë veç kontrata për shfrytëzimin e natyrës për pasuri të paluajtshme luksoze.
Nëse do të ishte ndryshe, do shihnim vizita zyrtare, do të ndeshnim deklarata të Departamentit të Shtetit, do të lexonim marrëveshje shtet–shtet. Por asgjë nga këto nuk ka ndodhur, përkundrazi kanë vërshuar ankesa nga Dhoma Amerikane e Tregëtisë për investimet e munguara amerikane në Shqipëri, kujtesa të vijueshme nga Departamenti i Shtetit dhe përfaqësia diplomatike mbi luftën ndaj krimit të organizuar, trafiqeve dhe lidhjeve të tyre me pushtetin, si edhe aktin e mbrojtjes me fokus Ballkanin.
Shtrydhja e çdo mundësie për investime në resorte, në pasuri të paluajtshme, në territore të mbyllura nuk kërkon domsdoshmërisht shtet funksional. Andaj këtu e kanë të pamundur të ofrohen investime në industri, arsim, teknologji, prodhim afatgjatë, sepse këto kërkojnë shtet funksional, që Rama nuk diti ta ndërtojë kurrë.
Sot, kur kryeministri duhej të qe në Davos e Ivanka të vizitonte e qetë potencialin e biznesit të saj, na u desh të durojmë provincializmin e lidershipit shqiptar.
Davos është vendi ku fuqia institucionalizohet, ku shtetet shfaqen si shtete e jo si mikpritës. Ku marrëdhëniet nuk ndërtohen mbi afërsi personale, por mbi peshë reale ekonomike, politike dhe strategjike. Zverneci, sado i bukur, nuk është skenë gjeopolitike, por mikpritjeje private, e dobishme për biznes, por e parëndësishme për diplomaci.
Mu këtu lind keqleximi i qëllimshëm.
Fuqia reale shfaqet kur një kryeministër ftohet në tryeza ku vendosen rregullat, jo kur organizon darka me aheng për aktorë privatë, me mbiemër Trump qofshin. Forca shfaqet kur një shtet hyn në axhendë si palë, jo kur komisionohet për hallet e liderit.
Kjo është arsyeja pse insistimi për ta fryrë këtë episod ka kutërbim pasigurie. Provincializmi nuk qëndron tek vendi, por tek ambicia e një kryeministri që duke nakatosur biznesin privat me diplomacinë dhe mikpritjen me ndikimin ul po vetë nivelin e lojës që pretendon se luan. Dhe sa më shumë përpiqet ta shesë këtë si triumf, aq më shumë ekspozon kufijtë realë të pushtetit të tij mbarsur me skandale, që drejtësia vendase duhet t’i dënonte si turp për shtetin, dëm për shoqërinë e jo ende t’i tolerojë si CV për autokratin.