Ekonomi
Shtohet niveli i borxheve midis OSHEE dhe ujsjllësave
Shtohet niveli i borxheve midis kompanive shtetërore të energjisë dhe ujsjllësave. Në total në 6 muajt e parë të këtij viti detyrimet arrijnë në 156.22 miliardë lekë ose mbi 1.3 mld euro.
Të dhënat janë publikuar në relacionin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Vërehet se nivelin më të lartë të detyrimeve për të mbledhur e ka KESH me rreth 59 miliardë lekë, nga të cilat 52 miliardë lekë duhet t’ia shlyej OSHEE dhe 7.5 miliardë lekë OST.
Më pas si kategori renditen detyrimet që shoqëritë KESH dhe OSHEE kanë ndaj qeverisë dhe arrijnë në 40 miliardë lekë.
Këto para janë më së shumti mbështetje financiare në formën e garancive që I janë dhënë kompanive nga buxheti shtetit.
Problem i theksuar mbeten edhe borxhet e ujësjellësve ndaj OSHEE të cilat kanë pësuar një rritje. Sipas raportimit më të fundit ato vazhdojnë të mbeten në një vlerë të konsiderueshme me rreth 24.47 miliardë Lekë. Nga totali i detyrimeve të raportuara, vetëm ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës ka 8.28 miliard lekë detyrime të akumuluara në vite. Më pas renditet ujësjellësi i Vlorës dhe i Patosit
Akumulimi i detyrimeve të prapambetura vazhdon trendin rritës, kryesisht për shkak të performancës së ulët të shumicës së shoqërive të Ujësjellës -Kanalizimeve . Nisur nga kjo, ka nisur edhe procesi i reformimit dhe riorganizimit të sektorit të Ujit. Synimi është ridimensionimi i 61 ndërmarrjeve U-K aktuale, përmes rigrupimit të tyre në 15 subjekte me kompetenca të përbashkëta të cilat do të jenë shoqëri të reja aksionare, me qëllim menaxhimin optimal dhe rritjen e performancës së tyre financiare.
Detyrimet e ujësjellësve
UK Durrës 8.28 mld
UK Vlorë 2.60 mld
Uk Patos 1.79 mld
UK Fier 1.42 mld
UK Kavajë 1.15 mld